Prej muajit mars, policia e qarkullimit rrugor ka nisur aplikimin e gjobave në banesë për qytetarët të cilët kanë tejkaluar shpejtësinë dhe janë fiksuar nga radarët. Drejtuesit e qarkullimit rrugor thonë se kjo është nga shumë masat që janë marrë këtë sezon turistik, ku ka një fluks të shtuar të mjeteve dhe turistëve.

Skënder Ismaili, shefi i sigurisë rrugore thotë se kjo është bëre e mundur në sajë të katër radarëve që kanë mbërritur së fundi në policinë rrugore, të cilët në mënyre automatike përcaktojnë shkeljen e kryer dhe identifikojnë përdoruesin e mjetit.

Skënder Ismaili: Procesverbali i konstatimit të shkeljes ose gjoba, i shkon fotografia me të gjitha të dhënat, kufizimin e shpejtësisë dhe sanksionin administrativ me të cilin do të përballet për tu paraqitur në kohën e caktuar në organin administrativ.

Kjo mënyrë e re aplikimi po has në vështirësi sa i takon problemeve me adresat por pavarësisht kësaj, masa administrative figuron në sistem.

Skënder Ismaili: Gjoba është e detyrueshme të niset në adresën të cilën ka lënë drejtuesi i mjetit kur regjistron mjetin. Por ka shumë probleme sepse shtetasit ndryshojnë vendbanimet e tyre dhe me gjithë detyrimin që kanë në ligj që pas ndryshimit të vendbanimit të bëjnë dhe ndryshimet në regjistrin e mjeteve, këtë gjë nuk e bëjnë dhe kjo sjell vështirësi.

Kjo është një nga masat që policia rrugore ka marrë këtë vit në prag të sezonit turistik, ku ka nje fluks të shtuar të numrit të mjeteve që hyjnë dhe qarkullojnë, sidomos ne zonat bregdetare ku janë rritur edhe shërbimet.

Skënder Ismaili: Ka një planvendosje tjetër të policisë rrugore e cila diktohet nga fluksi i lëvizjeve dhe koha në të cilën shpeshtohet kjo lëvizje. Së dyti, ka një shtim të numrit të patrullave të policisë, së treti janë nxjerrë një sërë mjetesh teknike, radarë të cilët kontrollojnë lëvizjen. Mjetet teknike që kemi marrë kohët e fundit përveç kontrollit të shpejtësisë diktojnë dhe vendosjen e rripit të sigurimit dhe shkelje të tjera që bëhen nga drejtuesit e mjeteve.

Në periudhen janar-korrik, nga policia janë vendosur 1600 masa administrative ndërsa janë shënuar 925 aksidente nga 956 që ishin gjatë një viti më parë.

Ndërsa kanë humbur jetën për shkak të aksidenteve 108 persona nga 129 që ishin në të njejtën periudhë të një viti më pare./OraNews/