Nënkryetari i PD-së Edi Paloka ka folur pas mbledhjes së kryesisë duke u shprehur se kishte debate në mbledhje, për shkak të mendimeve të kundërta.

Duke folur për gazetarët, Paloka foli gjithashtu edhe për kandidaturën e Astrit Patozit. Sipas tij, ai bëri vetëm një deklaratë ndërsa nuk erdhi zyrtarisht të thoshte se do të kandidonte.

“Kur dha dorëheqjen Sali Berisha nuk kishte debate. Këtë herë pati debate sepse kishte mendime të kundërta. Ne duam që PD-ja të rilindë.

Rasti i Astrit Patozit ishte i qartë, ku e diskutuam edhe në kryesi. Ai shprehu dëshirën për të kandiduar me një sërë kushtesh, edhe sot ai foli. Atij nuk iu plotësuan kushtet dhe ai nuk kandidoi zyrtarisht.

Ai duhej që vetëm të na thoshte që jam kandidat. Sot u kërkua të futej në rend dite një pikë tjetër që përfshinte analizën. Nuk mund të ketë analizë brenda një mbledhje kryesie. Ne do të bëjmë një analizë për të gjitha përgjegjësitë. Edhe gjatë fushatës do të ketë përballje”, tha gjatë fjalës së tij Edi Paloka.