Kandidatët e ri për shoferë nuk iu nënshtrohen procedurave të nevojshme për marrjen e lejes së vozitjes. Një pjesë e madhe e kandidatëve dhe shoferëve të ri shqetësim më të madh shprehin për pjesën praktike të “Ndihmës së Parë” të cilën e kalojnë pa mos bërë as një ditë të vetme ushtrime. Alsat kontaktoi me shumë kandidatë të rinj nga auto shkolla të ndryshme të vendit, por nga frika që të mos kenë probleme gjatë marrjes së lejes, nuk deshën të prononcohen para kamerave. Nga ana tjetër shoferët me përvojë të gjatë, rrëfejnë se si është marrë leja e vozitjes në kohën e tyre.

Atëherë vozitësit kanë qenë më të përgatitur se tani, tani lejet merren kush ka të njohur. Në atë kohë thelbësore ka qenë mësimi  në auto shkollat e atëhershme se sa tani. Tani edhe pse ka teknik të përsosur, ndërsa atëherë ne nuk kemi pasur teknika por  mësimi ka qenë më I organizuar dhe vozitësit më të aftë – u shpreh Xhelal Fojniku, shofer prej 40 vitesh.

Është shumë rrezik kur një vozitës nuk e din Ndihmën e parë, sepse ndodhin shumë raste p.sh ndeshje ndërsa nuk din të ju japin ndihmë ë shpejtë dhe vozitësi vetëm e sheh dhe ik, sepse nuk din t’i jep ndihmë të lënduarit – tha Enver Kamberi, shofer prej 35 vitesh.

Qytetarët thonë se mos nënshtrimi i kandidatëve ndaj procedurave ligjore për marrjen e lejes së vozitjes, reflektohet në numrin e madh të aksidenteve.

“Është e rrezikshme kjo pa përgatitje sepse mund të vjen deri të ndeshjet , gjithçka mund të ndodh, çdo kush duhet t’i kalon kurset e duhura dhe detyrat për ta marrë lejen, dhe jo kështu ta marrësh lejen me të holla si që ndodh këtu në vendet e Ballkanit”.

“Për të marrë lejen e vozitjes s’do të thotë vetëm t’i japësh makinës, por shoferi duhet të dijë ta ndërrojë gomën e veturës, ta di se ku është vendi për ujin, ku për glicerinën ku për benzinën”.

Alsat për ditë me radhë kontaktoi Ministrinë e Brendshme e cila është kompetente për kontrollimin e punës së auto shkollave nëse e njëjta ka të regjistruar ndonjë rast ku kandidati është pajisur me leje pa mos qenë prezent në procedura dhe nëse deri më tani është sanksionuar ndonjë auto shkollë për vepra të tilla, por deri më tani nga MPB nuk morëm përgjigje. Vitin e kaluar Qeveria mori vendim që në veturat e auto  shkollave të instalohen kamera gjatë trajnimit të kandidatëve. Një gjë e tillë u kundërshtua ashpër nga pronarët e auto shkollave. Për ditë me radhë ata protestuan për shfuqizimin e këtij vendimi. Por pavarësisht protestave, vendimi nuk u ndryshua.