Aleanca Kosova e Re nuk do të jetë pjesë e koalicionit PAN. Madje as nuk do të ketë bisedime për një bashkëpunim mes tyre. E sa i përket takimit të sotëm në rezidencën e Pacollit ku si ndërmjetësues thuhet se do të ishte Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ka asgjë të vërtetë. Të paktën kështu thotë vetë kreu i AKR’së Behgjet Pacolli sikurse edhe zëvendësi i tij, Agim Bahtiri.

Një takim në mes të AKR’së dhe PAN’it ku si ndërmjetësues do të ishte Edi Rama mohohet nga Behgjet Pacolli.

“Asgjë të vërtet” kaq ishte përgjigja e kreut të Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacollit për Gazetën Express, kur u pyet se a do të ketë në rezidencën e tij takim me zyrtarë të PAN’it, për të diskutuar rreth një marrëveshjeje mes tyre.

Ndërkaq rreth takimit të anëtarit të partisë së tij, Rrahim Pacollit me presidentin Thaçi, Kadri Veselin e Sami Lushtakun, kreu i AKR-së thotë se ka qenë i rastësishëm.

“Ishte e rastit siç më tha ai, ishte takuar me Samiun (e ka shok) e të tjerët iu kanë bashkëngjit më vonë” tha Pacolli.

E për raportimet rreth takimit të sotëm mes AKR’së e PAN-it, foli edhe zëvendësi i Pacollit, Agim Bahtiri. Madje ai e ripërsëriti se nuk ka asnjë mundësi që ‘i ndryshojnë qëndrimet e tyre të deritanishme.

Siguron se do të jenë bashkë më ata që lidhën koalicion parazgjedhor, LDK’në e Alternativën, përderisa u shpreh se me Vetëvendosjen vazhdojnë të jenë në bisedime.

“ Po e ripërsëris për të disatën herë se ne nuk do të kemi asnjë takim me PAN’in. Takim me këta nuk do të ketë as sot në orën 18:00 e as ndonjëherë tjetër.

Ne kemi takime me partnerët e koalicionit pra do të jemi bashkë me LDK-në e Alternativen. Biseda kemi edhe me Vetëvendosjen” sqaroi për Express, nënkryetari i AKR’së Agim Bahtiri.

Ndërkaq sot gjatës ditës, edhe Rrahim Pacolli nga AKR-ja u pa së bashku me presidentin Thaçi e kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, sikurse edhe Sami Lushtakun.

E kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, tha se nuk është në dijeni për ndonjë takim të iniciuar nga subjekti i tyre me personat e lartpërmendur.