Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në një intervistë për Reuters, ka deklaruar se Maqedonia dhe Bullgaria janë dakorduar për tekstin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Synimi i marrëveshjes është që të zgjidhen kontestet shumëvjeçare rreth historisë, identitetit, gjuhës dhe minoriteteve etnike.

“Kemi arritur kompromis për tekstin. Nënshkrimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë do të rrisë besimin mes nesh, do të tregoj se jemi serioz dhe se duam që të krijojmë miqësi në rajon”.

Por, përveç Bullgarisë, vendi ka çështje të hapura edhe me fqiun jugor, Greqinë. Athina zyrtare nuk pranon emrin kushtetues të Maqedonisë. Ky kontest shumëvjeçar bllokon për shumë vite procesin euroatlantike të Maqedonisë.

Dimitrov për Reuters ka deklaruar se dëshiron bashkëpunim më të mirë edhe me Greqinë dhe se në atë drejtim ishte edhe vizita e tij. Në takimet e realizuara atje, ka propozuar që Greqia të ndihmojë vendin që të anëtarësohet në NATO dhe të vazhdojnë negociatat për zgjidhje të përhershme të çështjes së emrit.

“Porosia ime në Athinë ishte që në Maqedoni ka një fillim të ri dhe për këtë ju lus që të mendoni çfar fqinji dëshironi të keni. Nëse dëshironi demokraci evropiane të udhëhequr nga sundimi i së drejtës, tani është momenti të na ndihmoni dhe ndoshta të na lejoni të anëtarësohemi në NATO me referencën e përkohshme. Ajo do të nënkuptonte investim në klimë më të mirë në të cilën do të ishte e mundur zgjidhja edhe e problemeve më të mëdha”.

Për zgjidhjen e çështjes së emrit, Dimitrov ka thënë se është i nevojshëm proces i cili do të krijonte pozitë nacionale dhe për këtë çështje do të ketë me referendum.

Ndërkohë, marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, do të nënshkruhet në ceremoninë e përbashkët të Ilindenit më 2 gusht nga kryeministrat e dy vendeve, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov. /SHENJA/


Marrëveshja me Bullgarinë nënshkruhet më 2… by tvshenjaofficial