Me letër dërguar deri tek kryeministri Zaev dhe ministri të jashtëm Dimitrov, një grup i deputetëve të VMRO DPMNE-së kërkojnë që të jenë të përfshirë në procesin e nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Sipas deputetit opozitar Ilija Dimovski, këtë kërkesë e bëjnë meqë për qeverinë paraprake ka pasur pesë pikë problematike në marrëveshjen, ndaj për këtë arsye, siç shprehen, partia më e madhe politike në vend nuk është dashur të përjashtohet nga procesi.

Ne tashmë 15 ditë e kërkojmë këtë informatë. Nuk kemi kurrfarë marrëveshje. Kjo është edhe njëra prej arsyeve pse vendosëm të formojmë dhjetë grupe parlamentare. Veçanërisht dështues ishte momenti kur mësuam se në Kuvendin e Bullgarisë tashmë ka filluar procedura dhe deputetëve bullgar u është mundësuar shqyrtimi i projekt- tekstit të marrëveshjes – deklaroi Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

Mediat bullgare ditëve të fundit publikuan se projekt- marrëveshja është dorëzuar në seancë të Komisionit për politikë të jashtme të Kuvendit që më 5 korrik. Por, e citojnë edhe kryeministrin Bojko Borisov i cili shprehet se kuvendi popullor njoftohet me tekstin e marrëveshjes madje pas nënshkrimit të saj, kur parlamenti duhet ta ratifikojë. Deputeti Ilija Dimovski deklaroi se edhe ata kanë kërkuar shqyrtim të projekt- dokumentit të Komisionit për punë të jashtme, por se deri tani pushteti nuk ua ka mundësuar këtë./alsat