Është shtyrë për më 5 shtator seanca gjyqësore kundër ish kundër-zbuluesit Slobodan Bogoevski, i cili akuzohet për shpifje nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtori i tij i afërt Musa Xhaferi.

Për gjykimin, ishte problem se nuk mund të konfirmohej kompetenca e lëndës sepse Bogoevski deklaratën për “Magjar Telekom” e ka dhënë për nevojat e gjykatës në SHBA.

Tani duhet të rishikohen bazat e padisë së dorëzuara nga funksionarët e partisë BDI, por edhe nga ane e mbrojtjes e cila konfirmoi se Bogoevski rrëfimin e ka bërë për nevojat e një gjyqi tjetër.

Ahmeti dhe Xhaferi nga Bogoevski kërkojnë 5.5 milion denarë për fyerje dhe shpifje. Bogoevski për gjyqin në Nju Jork në cilësinë e dëshmitarit deklaroi se përmes biznesmenit grek Kondominas, dyshja Ahmeti Xhaferi dhe kryeministri i atëhershëm Vllado Buçkovski kanë marrë mitë prej 7.5 milion euro që ta mbajnë situatën e monopolit në tregun e shërbimeve telefonike.