Familjarët e vajzës 18-vjeçare Ketjana Ibrahimi që humbi jetën pas një operacioni në spitalin e Elbasanit, flasin mes dhimbjes për atë që kaloi e afërmja e tyre, duke akuzuar njëherësh mjekët për pakujdesi.

Nëna Bejaze Ibrahimi thotë se vajza fillimisht kishte dhimbje barku dhe të vjella.

“E nisëm për në Gramsh. I bënë serume dhe gjilpëra. Por nuk pati përmirësim. Tha doktori; unë të gjitha ia bëra s’ka përmirësim. Do ta nisim poshtë me ambulancë. E nisëm me oksigjen për në Elbasan. Edhe atje e çuan në urgjencë. I bënë edhe ata ca poçe serum siç i bënë këtu. Më vonë i bënë analiza e eko jo dyshojmë për atë e këtë. Në fillim na thanë për stomakun. Pastaj ka çarë një vezore. Njëherë është mbushur me gjak. Pastaj ka qelb, pastaj ka ujë. I hoqën edhe tëmthin. E futën në operacion. Zgjati katër orë. E sakatuan. Nuk fliste më”, rrëfen nëna e Ketjanës për” Info Elbasani”.

Motrat Alba dhe Brunilda tregojnë versionin e tyre: “Na thanë e pastruam nga vezorja për merak kur ajo kishte të vjella dhe dhimbje barku. Pastaj e bënë prapë operacion nga tëmthi. U vonua edhe doktoresha dhe motra përkeqësohej. Nuk na thanë asgjë. Unë akoma s’e kam kuptuar shkakun e vdekjes së motrës sime. Ata neglizhuan”.

Me lot ndër sy për humbjen që kanë pësuar, familjarët e kanë të vështirë të flasin. Ata banojnë në fshatin Brahimas të Gramshit.

 “Atje nuk na dhanë shpjegime, i bënë vetëm qetësues dhe analizat, pastaj e futën me urgjencë në operacion. Rreth orës 7 të mëngjesit morëm vesh lajmin e hidhur”,– u shpreh xhahxai i së ndjerës.

Nëna e saj Bejaze Ibtrihimi dhe dy motrat, Alba e Brunilda, nuk e besojnë gjëmën që ka ndodhur.

 “Më duket sikur do të çelë derën sërish e do më hidhet në qafë”, qan me dënesë gruaja.

“Ajo ishte shpirt njeriu. E dashur dhe me humor”, thonë motrat.  “Sapo mbaroi maturën dhe ishte e mbushur plot me ëndrra për jetën. Por ëndrrat e saj u këputën në mes”.

“Doli mirë nga operacioni, por më pas u përkeqësua”, shprehet xhaxhai i saj. “Ne mendojmë se mjekët nuk u kujdesën. Ne duam drejtësi dhe e vërteta të shkojë në vend. Nuk duam asgjë më shumë. Ne na iku vajza. Askush nuk na e kthen më. Por duam që raste të tilla të mos përsëriten më”, shton ai.