Fitues legjitim i zgjedhjeve të 11 qershorit është koalicioni PAN, me të nominuarin për kryeministër, Ramush Haradinaj. Kështu ka thënë analisti politik, Ernest Luma, dikur zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas Lumës, edhe pse fitues moral është Lëvizja Vetëvendosje, qeverinë duhet ta formojë PAN’i.

“Haradinaj është kandidati më i duhur për udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës në një situatë të tillë”, ka thënë Luma në Klan Kosova.

“Të gjitha subjektet politike janë deklaruar se para pushtetin e kanë vendin dhe qytetarët”, është shprehur ai.

“Lista Serbe është faktor si me 100, ashtu edhe tash me 60 deputetë”, ka thënë Luma.

Teksa ka folur për ngecjet në zhvillim të vendit, Luma ka vlerësuar se fajtorë janë PDK dhe LDK, që ai i ka përshkruar si dy gjysma të një molle.

Luma ka thënë se LDK ka pësuar rënie në vazhdimësi.

“LDK ka qenë e vetëdijshme për rënien e saj, si dinari jugosllav që ka devalvuar, pra ka qenë e vetëdijshme për devalvimin e saj”, është shprehur Luma.