Sulmuesi belg, Rumelu Lukaku, ka zbuluar se te Manchester United do të mbajë fanellën me numër 9, pas largimit të Zlatan Ibrahimovic.

24-vjeçari ka bërë të ditur se për të marrë numrin 9 ka marrë edhe lejen e Zlatan Ibrahimovicit, të cilin edhe e falënderon.

Lukaku gjatë kësaj jave la Evertonin për t’iu bashkuar Manchester Unitedit për 75 milionë paund, ku u bë edhe futbollisti i dytë më i shtrenjtë i gjigantit anglez.

“Unë gjithmonë kam pyetur nënën time për numrat dhe kam luajtur me numrin 10, pasi ditëlindja e nënës time është më 10 tetor, në muajin e 10 të vitit”, ka deklaruar Lukaku.

“Për këtë arsye kam luajtur me numrin 10. Kam kërkuar numrin nëntë sepse jam sulmues. Sulmuesit luajnë me numrin 9, është një numër i mirë, dhe unë mora lejen e Ibrahimovicit për atë numër. Unë e falënderoj atë që më lejoi ta marr numrin e tij”, ka përfunduar belgu.