Për herë të parë Ministri i Brendshëm Demiraj ka hedhur dritë në lidhje me objektivin e qeverisë për të fituar luftën kundër kanabisit dhe arrestimin e kokave që kultivojnë lëndën narkotike, synim i shpallur nga kryeministri këtë të hënë.

I ftuar në “5 pyetje nga Babaramo” në Report Tv, Demiraj u shpreh se ka një liste me rreth 140 emra, të cilët janë të njohur për lidhjen e tyre me botën e krimit dhe kultivimit të kanabisit.

 Pavarësisht se Demiraj nuk ka dhënë asnjë emër, ai është mjaftuar të shprehet se trafikantët janë të identifikuar dhe se kryeministri gjithashtu është i mirëinformuar për personat e kësaj liste prej rreth 140 personash.

Demiraj nga ana tjetër është pyetur gjithashtu për lidhjen e mundshme mes politikës dhe kultivuesve të mëdhenj të kanabisit, të cilës ministri teknik i është përgjigjur duke thënë se nëse trafikantët nuk do të kishin mbështetje, atëherë nuk do të kishte as kanabis.

“Pa mbështetje politike nuk mund të kultivosh kanabis, pa mbështetjen e policisë nuk mund të bëhet kultivimi…”-tha Demiraj, i cili vuri gjithashtu në dukje se shumë shpesh, edhe nëpër operacionet policore, ka një rrjedhje të madhe të informacionit.

Së fundi, Demiraj ka folur edhe për raportin e tij me drejtuesin e policisë Haki Çako. Ministri i Brendshëm e ka vlerësuar relatën që ka patur me kreun e policisë së shtetit si një marrëdhënie të rregullt dhe korrekte, por nga ana tjetër ka vënë në dukje disa veprime të Çakos, të cilat i ka quajtur si jonormale… pavarësisht theksit, Demiraj është shprehur se e kupton pse janë bërë këto veprime, por pa e zbuluar arsyetimin e tij.

“Është një njeri që ka një kohë të gjatë në detyrë, por e kuptoj për disa veprime jo normale, psh që nuk largoi disa shefa të komisiariateve…”-tha Demiraj.