VMRO-DPMNE përmes shpërndarjes së lajmeve të rrejshme dhe tendencioze për kinse akomodimin e përhershëm të dhjetra mijë migrantëve dhe punësimin e tyre, vazhdon të sjellë shqetësim tek qytetarët. Propozim-strategjia e paraparë për refugjatët dhe të huajt 2017-2027 është vetëm një rifreskim i strategjisë së njejtë nga periudha e vitit 2009-2015. Bëhet fjalë për dokument që publikisht është paraqitur dhe është i hapur për sugjerime edhe i njejti shërben si udhërrëfyes duke mos pasur akte detyruese ndaj cilës do ministri apo institucion.

Me shqetësimin e supozuar për një dokument jo detyrues, Komiteti qëndror i VMRO-DPMNE-së me vonesë i ka pranuar politikat katastrofale që kjo parti ka udhëhequr 11 vitet e kaluara. VMRO-DPMNE përmes deklaratës së sotme ka pranuar se Maqedonia po përballet me shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë dhe pranoi që vitet e kaluara qindra mijë qytetarë kanë qenë të detyruar të largohen nga shteti shkaku i politikave ekonomike katastrofale të VMRO-DPMNE-së.

Për atë arsye sot VMRO-DPMNE është opozitë dhe shkaku i kësaj shumica e qytetarëve kanë votuar për ndryshime dhe për Qeveri të udhëhequr nga LSDM e cila i zgjidh problemet dhe punët me saktësi, hapur dhe direkt në interes të qytetarëve.