Brenda kësaj dhomeje të zymtë e të errët banon një loke e harruar dhe e braktisur. Ditët dhe netët i ndan me vetminë e saj, në varfëri. E thyer në moshë, e lodhur fizikisht nga sëmundje të ndryshme, ajo mezi kalon pragun e dhomës së vetme të shtëpisë së saj.

“Nuk kam idare, bashkëshorti ka qenë shumë i sëmurë 7 vite dhe kam shumë borxhe nëpër dyqane, kam borxhe të mëdha”.

Gjendja e rënduar shëndetësore ia pamundëson lokes Rabije që të kujdeset për vete, pasi me shumë vështirësi lëviz nga shtrati. E konsideron fat nëse në dy apo tre ditë vjen fqinja e saj, personi i vetëm që i ndihmon,  ia hap derën dhe ia lanë rrobat apo i përgatit diçka për të ngrënë.

“Një grua ka ardhur një orë për të larë tesha, më ka përgaditur për të ngrënë dhe ka ikur. Një grua vjen për të më përgatitur pastaj nga dy ditë nuk vjen. Çdokush ka shtëpinë e vet, problemet e veta”.

Të gjitha këto vështirësi ajo i përballon e vetme pa ndonjë familjar afër vetes dhe në një varfëri të thellë.

“Nuk kam, shikone frigoriferin këtu, shporetin jashtë, lavatriçe nuk kam, shumë ngushtë. Nga podrumi poshtë ka shumë lagështi, familje nuk kam. Jam alivanosur dhe kam lënduar këtë dorë, e kam lënduar shumë, kam rënë tre here. Nuk shoh me njërin sy”.

Të ardhurat e pakta mujore që i merr nuk i mjaftojnë as për të paguar ilaçe.

“Kam qenë shumë e sëmurë kur kanë qenë temperaturat e larta. Kam kërkuar ndihmë, askush nuk më ka sjellur asgjë. Nuk kam të holla për barëra. Kam 8 reçeta dhe nuk mund të blejë shumë barëra”.

Lokja Rabije, ka nevojë që t’ia trokasin në derë njerëz bamirës të cilët do të solidarizohen me gjendjen e rëndë sociale të saj dhe do t’ia zgjasin dorën t’i ndihmojnë.