Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me listën e publikuar nga kryeministri Edi Rama në lidhje me emrat që sipas këtij të fundit janë denoncuar.

Me një shënim në faqen e tij në Facebook, Basha shkruan se në këtë listë mungojnë vetëm Ilir Beqaj, Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri, e ministrat e tjerë të qeverisë.

Ja çfarë shkruan Lulzim Basha në Facebook:

Lista e turpshme e publikuar nga Edi Rama dëshmon atë që Partia Demokratike dhe unë kemi thënë katër vjet rrjesht: për Edi Ramën drejtësia është ai vetë, shteti është ai vetë. Për të nuk ka ligj, nuk ka të drejta njerëzore, nuk ka llogaridhënie.

Ai vendos se kush është fajtor e kush jo, kush duhet dënuar e kush jo. Ai nuk e ka problem të përlyejë, akuzojë dhe turpërojë publikisht si në kohën e Enver Hoxhës. Jo rastësisht në listën e tij nuk janë hajdutët dhe kriminelët e vërtetë shtetërorë:

Mungon ai vetë, mungojnë Ilir Beqaj, Sajmir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe gjithë ministrat dhe drejtuesit kryesorë shtetërorë që kanë privatizuar qeverinë për vete, për kriminelët dhe për klientët e tyre.

Ai që dhunoi zgjedhjet, tani ka filluar të dhunojë të drejtat e njerëzve. Ndaj duhet bashkimi i cdokujt për një përballje popullore të fortë dhe të vërtetë për ta ndalur dhe për t’u kthyer pushtetin qytetarëve.