Lika – Tejada: Shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit – garancë për prosperitetin dhe stabilitetin në vend

Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, z. Hazbi Lika, sot (20.07.2017) priti në takim Ambasadoren e Zvicrës në shtetin tonë, znj. Sybille Suter Tejada.
Në këtë takim të parë, zëvendëskryeministri Lika dhe ambasadorja Tejada, këmbyen pikëpamje rreth ngecjeve që Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka hasur në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Shtyllat e këtij dokumenti, ku përfshihet përfaqësimi i drejtë, avancimi i përdorimit të gjuhëve, si dhe decentralizimi i pushtetit qendror dhe atij fiskal, nuk duhet të ishin shkak dhe arsye e nxitjeve të konflikteve ndëretnike të krijuara në të kaluarën, theksoi z. Lika.
Bashkëbiseduesit gjatë takimit, theks të veçantë i kushtuan edhe problematikës së mungesës së mekanizmave për të obliguar institucionet shtetërore të marrin masa rreth arritjes së përfaqësimit të drejtë institucional.
Duke qenë besimplotë për bashkëpunimin e mëtutjeshëm midis dy shteteve, duke marrë parasysh lidhjet e ngushta miqësore që janë krijuar përmes diasporës që jeton në Zvicër, zëvendëskryeministri z. Lika dhe ambasadorja znj. Tejada shprehën gatishmëri për shkëmbim të përvojave mes shteteve për të ndërtuar një shoqëri multietnike dhe të barabartë para ligjit. Të kapërcejmë sëbashku gjendjen e të qenit shtet në zhvillim dhe të kalojmë në rradhët e shteteve të zhvilluara, theksoi së fundmi z. Lika.