Miratojnë ligje por të njëjtit nuk i respektojnë. Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë parkojnë veturat në kundërshtim me ligjin. Kuvendi ka pak vende parkimi, mirëpo gjelbërimi para godinës nuk i pengon deputetët të gjejnë rehati për veturat e tyre. Ata e pranojnë realitetin.

“Nuk është në rregull. Mendoj se nuk është në rregull”, thotë Gjylymsere Kasapi, deputete e LSDM-së.

“Duhet të parkohen sipas rregullave por duhet të ketë edhe vende të parkimit”, thotë deputeti tjetër i LSDM-së Maksim Dimitrievski.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së ishin më të ashpër ndaj pyetjes pse parkoni veturat jashtëligjshëm. Dimovski sa nuk theu veturën e tij.

Pse parkoni jashtëligjshëm këtu?
Pse nuk më ka siguruar kryetari i Kuvendit vendparkim?
Deri tani a nuk ishte kreu i Kuvendit nga partia juaj.
Dëgjo. Unë ju pyes për këtë!
Unë jam këtu të pyes, nuk jeni ju!
Fillimisht duhesh të lutesh për pyetje nëse do të pajtohem ose jo.
Kam të drejtë të pyes.
Ti ke të drejtë të pyesësh, unë kam të drejtë të përgjigjem. Hiqu qafe!|
Do ta thyeni veturën, më ngadalë. Po ju pyes vetëm.
Çfarë po pyesni, pse parkoj? Sepse nuk kam vend për parkim. Ku të parkoj?
A do të kërkoni parking?
Po gjithsesi?

Ish krye-parlamentari Trajko Veljanovski dhe deputetët e tjerë opozitarë nuk komentonin shkeljet ligjore që i bënin.

 “Si e komentoni veprimin që deputetët i parkojnë veturat jashtëligjshëm?

 “Një pyetje jo politike. Nuk po flisni në celular, po e shoh. Si e komentoni faktin që deputetët nuk respektojnë ligjin t’i parkojnë veturat siç duhet?

Asnjë përgjigje.

Qytetarët këtë veprim të deputetëve e quajnë dyfytyrësi.


“Edhe punojnë këtu edhe shkelin ligjin”.

“Këta më së paku respektojnë ligjet. I gjithë Shkupi vuan për parking”.

“Kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk i ngjan. Duhet të jenë shembull e jo kështu të veprojnë. Parkojnë në mes të gjelbërimit. Para disa ditëve ishin parkuar këtu- shprehen dis aqytetarë.

Përveç deputetëve, në oborrin e Kuvendit në kundërshtim me ligjin parkojnë edhe administratorët dhe punëtorët e institucioneve të tjera përreth./alsat