Të gjithë e dimë se me vite të tëra, gjendja e mjerueshme e kësaj rruge ka malltretuar banorët e fshatit tonë. Rruga në foto, është rrugë e cila për 30 vite është në këtë gjendje, gjendet përreth shkollës së fshatit, po ashtu lidh fshatin me autostradën me një gjatësi prej 3 km (kilometrave), ndërsa tani pas gjumit të thellë plot 12 vite, organet e pushtetit lokal të udhëhequr nga BDI, “zgjohen” të bëjnë asfaltimin e vetëm 700 metrave.

Fshati Gradec në veçanti, çmimi, vlera dhe dinjiteti i një komune siç është Komuna e Vrapçishtit në përgjithësi, nuk është vetëm 700 metër asfalt – apo 25% e rrugës në fjalë, edhe atë rregullim i së cilës kryhet pas skadimit të mandatit.

Kryetari i komunës së Vrapçishtit dhe ata të cilët me krenari promovojnë këtë çerek-investim, në fakt duhet t’iu vijë turp, ngase 3 mandate të plota BDI qeverisi me pushtetin lokal dhe nuk e panë të arsyeshme rregullimin e kësaj rruge, njëjtë sikur edhe herëve tjera edhe kësaj radhë, në prag të zgjedhjeve lokale mundohen të hedhin “pluhur syve”, sepse nuk kanë dert investimet, hallin e qytetarëve dhe gjendjen reale të rrugëve, por derti tyre janë votat.

Një gjë është e sigurt se, dënimi do t’ju vjen nga populli, sepse si Gradecasit, si qytetarët në të gjithë komunën, meritojnë më mirë, meritojnë më shumë.