Sulmuesi kilian Alexis Sanchez përflitet prej muajsh se do të largohet nga skuadra e Arsenal, por trajneri i “topçinjve”, Arsene Wenger, ka deklaruar sot se lojtari nuk ka kërkuar asnjëherë të largohet nga Londra. Deklaratë që vjen pas zërave se Sanchez është pranë transferimit te skuadra e Manchester City ose te Bayern Mynih dhe lojtari ka kërkuar transferimin. Trajneri Wenger, i pyetur se mos Sanchez ka shprehur dëshirën për t’u larguar tha prerazi: “Jo!”.

“Nuk ka asgjë të re për sa i përket kësaj çështje, është e njëjta situatë si në fundin e sezonit të kaluar”

Trajneri francez u shpreh gjatë një konference shtypi, pas fillimit të fazës përgatitore për sezonin e ri. “Nuk ka asgjë të re për sa i përket kësaj çështje, është e njëjta situatë si në fundin e sezonit të kaluar. Sanchez ka ende një kontratë me ne. Ky është viti i fundit i tij nën kontratë me ne, ndaj do ta menaxhojmë situatën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne duam ta shtyjmë kontratën dhe kemi ende kohë për ta bërë këtë gjë”, u shpreh më tej Wenger. Sulmuesi kilian ka realizuar 24 gola në sezonin e fundit në Premier League.