Kuvendi i RM-së vazhdoi me punën për seancën e gjashtë edhe pas orës 18. Në seancë nuk do të marrin pjesë deputetët nga shumica qeveritare, të cilët e braktisën sallën e Kuvendit pas fjalimit të deputetit Kërste Jovanovski nga VMRO-DPMNE-ja.

Paraprakisht kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi shpalli pauzë të vazhdimit të pasdites të seancës së gjashtë në të cilën debatohet për vendimin për dhënie të pajtueshmërisë së akteve të përgjithshme të Avokatit Popullor dhe mbajti koordinim me grupet e deputetëve në Kuvend.

Në fillim të vazhdimit të pasdites pasi Zoran Ilioski nga grupet e deputetëve të VMRO-DPMNE-së kërkoi pauzë njëorëshe, Xhaferi paralajmëroi se Kuvendi do të vazhdojë me punë edhe pas orës 18, për aq kohë sa deputetët kërkojnë pauzë.

Dimitar Stevananxhija nga VMRO-DPMNE-ja potencoi se pajtohet me qëndrimin e Ombudsmanit Ixhet Memeti se zgjedhja e Avokatit të Popullit duhet të bëhet në mënyrë më transparente, në qoftë se, siç tha, dëshirojmë të ketë profesionalizëm dhe cilësi. Stevananxhija njëherit kërkoi edhe që të hapet zyrë e Avokatit të Popullit në Prilep.

Duke replikuar Memeti shpjegoi se me kriteret nga Parimet e Parisit është theksuar se njeriu i parë në këtë institucion duhet të zgjidhet me census me të cilin nuk do të mund të shkarkohet, gjegjësisht me census më të lartë. Lidhur me transparencën për zgjedhjen mendohet që Kuvendi të publikojë shpallje, që të zgjasë më shumë, të marrë pjesë edhe sektori civil, tha Memeti, duke theksuar se me rregulloren e tij për punë është paraparë që kuadrot nga gjashtë zyrat rajonale të mbulojnë edhe qytete të tjera, por se nuk ka kapacitet.