Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në vazhdimin e seancës së gjashtë duhet ta fillojë debatin për propozimin për shkarkimin e prokurorit shtetëror publik, Marko Zvërlevski.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dje e hapi këtë pikë dhe paralajmëroi se për fjalim janë paraqitur numër i madh i deputetëve, pas çka e ndërpreu seancën dhe vazhdimin e saj e caktoi për sot në ora 11.

Propozimi që Zvërlevski të shkarkohet nga funksioni prokuror publik është parashtruar nga Qeveria e RM-së për shkak të kryerjes joligjore, jo me kohë dhe jo mjaftë profesionale të funksionit. Po ashtu, në dokument thuhet edhe se Zvërlevski me sjelljen dhe veprimin e tij ka treguar se nuk është i aftë për kryerjen e funksionit, si dhe për shkak se nuk ka parashtruar kërkesë për ngritjen e procedurës penale për raste të parapara me ligj dhe shkelje të autoritetit të funksionit.

Kërkesën për shkarkim, Qeveria e ka parashtruar edhe deri te Këshilli i prokurorëve publikë, i cili në seancë e pranoi propozimin për shkarkimin e Zvërlevskit.

Në rend të ditës në seancën e gjashtë të Kuvendit janë edhe propozim-ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune, të parashtruara nga Nola Ismajloska, Magdalena Manaskova dhe Vesna Pemova dhe raportet vjetore për punën e më shumë institucioneve. Deputetët duhet të debatojnë edhe për gjendjen me deponinë e egër në Strugë, propozim i parashtruar nga një grup deputetësh të VMRO-DPMNE-së.