Pak muaj më vonë, një ushtri me robotë të vegjël që notojnë do të fillojë zhytjen drejt mistereve të detrave e oqeaneve në të gjithë botën.

Secili prej tyre do të ketë një mision të përcaktuar, nga vëzhgimi i bimësisë e deri tek monitorimi i temperaturës.

Dronët nënujorë janë risia më e fundit e projektit OpenROV të David Lang, një zhytës i National Geographic, në përpjekje për të përshpejtuar zbulimet marine dhe duke i treguar botës oqeanin përmes kamerave në këta dronë.

Dronët do të dërgohen në disa pika të globit, ku pritet të bëhen zbulime të mëdha, një prej tyre është edhe porti i lashtë i Orikumit në Vlorë.

Orikumi ka qenë një qytet port strategjik në lashtësi dhe kushdo e kontrollonte, kishte nën kontroll edhe rrugët e lundrimit nga Adriatiku në Mesdhe. Atje Jul Çezari fitoi një nga betejat e tij më të mëdha në vitin 49 p.e.s.

“Kjo pikë është ëndrra e çdo arkeologu: ajo u shkëput nga pjesa tjetër e botës gjatë pjesës më të mirë të shekullit të 20-të dhe mbeti e paprekur dhe e padokumentuar. Vetëm tani po fillon të zbulohet potenciali i saj i vërtetë”, shkruan OpenExplorer, një faqe e dedikuar për studiuesit e fushës, përmes së cilës ata mund të mbledhin para për ekspeditat e tyre.

Ekspedita nënujore e Orikumit ndjek atë të një viti më parë e cila zbuloi qindra relikte në lagunën pranë Orikumit. Ajo mbështetet nga Fondacioni Octopus, një OJF zvicerane e cila synon të përmirësojë njohuritë mbi botën marine dhe ta bëjë këtë informacion të aksesueshëm nga publiku.

“Do të përdoren të gjitha mjetet më të fundit, nga dronët tek fotogrametria e deri tek novelat grafike, për të dhënë tregime mbresëlënëse të historisë së këtyre vendeve”, thotë eksploratori Lang.

Gjatë ekspeditës së parë, studiuesit bënë foto dronë dhe arritën të nxjerrin pamje 3D të terrenit. Një nga zbulimet e tyre tregoi se ajo çfarë konsiderohej një amfiteatër pranë mureve të lashta të qytetit, ishte një fakt një ujëmbledhës dhe se qyteti ishte gdhendur i gjithi nga guri./scan