Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendsoje, Albin Kurti i ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Kurti përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se duhet potencuar nevojën për zgjerim e thellim të partneritetit të Kosovës dhe shqiptarëve me ShBA-të.

Ky është shkrimi i plotë i Kurtit:

Sot shënohet dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, andaj dëshiroj t’ia uroj popullit mik amerikan festën e tyre kombëtare.

Në 4 Korrik përkujtohet pavarësimi i amerikanëve prej sundimit kolonial e imperial, pavarësim që u arrit përmes luftës për liri dhe sakrificave e idealeve të shumë njerëzve me në krye Xhorxh Uashingtonin.

Pavarësimi i ShBA ndryshoi politikën globale dhe ishte hap i rëndësishëm i historisë botërore në dy aspekte, së pari në betejën anti-koloniale, ku perandorisë iu kundërvu pavarësia, së dyti në betejën për demokraci, ku monarkisë iu kundërvu republika.

Si e tillë pavarësia e ShBA ka shërbyer si frymëzim për lëvizjet anti-koloniale e republikane kudo në botë.

Me presidentin Uillson i cili artikuloi doktrinën për vetëvendosjen e popujve, në fillim të shekullit XX, ShBA vendosi t’i shtrijë universalisht vlerat e pavarësisë e të demokracisë. Ishte Uillsoni ai që e bëri të qartë se ShBA nuk do t’i njihte traktatet e fshehta, me të cilët shtetet e fuqishme copëtonin popujt e vegjël, duke shpëtuar kështu ekzistencën e Shqipërisë.

E mbi të njëjtin parim, presidenti Klinton e më pas presidenti Bush i riu, ndihmuan betejën për çlirim e pavarësi të shqiptarëve në Kosovë.

Në këtë ditë, duke pohuar nevojën për zgjerim e thellim të partneriterit të Kosovës dhe shqiptarëve me ShBA, ne pohojmë përkushtimin tonë tek vlerat e pavarësisë, republikanizmit, demokracisë dhe të drejtës për vetëvendosje për popullin tonë e gjithë popujt e tjerë.