I nominuari për kryeministër të Kosovës nga radhët e Vetëvendosje, Albin Kurti i ftuar në “Arena” nga Dritan Hila në Ora News, thotë se shqiptarët janë një komb pavarësisht se ku jetojnë, ndërsa tregon se çfarë hapash do të ndërmarrë po të jetë kryeministër i Kosovës.

Pjesë nga diskutimet:

Hila: Do të jetë prioritet bashkimi kombëtar në agjendën tuaj si kryeministër?

Kurti: Ne besojmë që shqiptarët kudo që janë në Ballkan i përkasin një kombi. Mund të jenë popullsi dhe shoqëri të ndryshme, por kjo ka ndodhur për shkak se kanë jetuar në sisteme shtetërore të ndryshme për dekada të tëra. Dallimet nuk duhet t’i brendësojmë tani. Ne jemi një komb dhe unë besoj që edhe nëse shqiptarët e braktisin bashkimin kombëtar, bashkimi kombëtar nuk i braktis shqiptarët.

Qeveria e Vetëvendosjen do të koordinohej me qeverinë e Shqipërisë si asnjë qeveri e pasluftës. Konkretisht ne do të krijonim institucione të përbashkëta dhe jo vetëm marrëveshje bilaterale që na vulosin si qeveri të ndara. Ne duhet të kemi regjistër të përbashkët civil, kadastral.