Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e sotme një takim  me qytetarët e Durrësit, në vijim të dëgjesave publike. Rama tha se është gati për të bërë një koalicion të gjerë me qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Sipas kryeministrit Rama, kjo mund të realizohet duke shfrytëzuar maksimalisht teknologjinë e informacionit, në mënyrë që të krijohen ura për të lidhur qytetarët me qeverinë. Kreu i qeverisë tha se në këtë mënyrë do të përcillen shqetësimet e qytetarëve, në mënyrë që të gjendet zgjidhje për to.

“Besoj se në kohën e sotme dhe falë teknologjisë së re të informacionit kemi mundësinë për të qenë të lidhur në kohë reale në platformat online. Është plotësisht e mundur që ne të bëjmë një koalicion real me njerëzit e zakonshëm. Kushdo që do dojë të regjistrohet si anëtar i këtij koalicioni, do ta ketë mundësinë. Nuk do të jetë një regjistrim formal, por real, dhe çdo anëtar i koalicionit, çdo qytetar apo qytetare do të jetë në një lidhje të drejtpërdrejtë me qeverinë njësoj siç janë deputetët, apo përfaqësuesit e lartë të pushteteve të ndryshme. Çdo qytetar do të ketë mundësi të thotë fjalën e vet, të informohet në kohë reale për vendimmarrjet, projektet, diskutimet e brendshëm te qeverisë për të dhënë opinionin e vet”, u shpreh kryeministri Rama.