Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme unanimisht i miratoi Rregulloren e Komisionit dhe Rregulloren për mënyrën dhe procedurën për zgjidhjen e ankesave.

Nga KSHZ informuan se dy dokumentet të cilat rregullojnë aspekte të rëndësishme dhe komplekse të punës së KSHZ-së janë miratuar pas një procesi disamujor i cili ka filluar menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin 2016.

“Ky proces përfshiu vlerësimin e aktiviteteve zgjedhore nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2016, analizën e rekomandimeve të Raportit final të Misionit të OSBE/ODIHR nga vëzhgimi i zgjedhjeve 2016, punëtori inkluzive dhe tryeza të rrumbullakëta në organizim të KSHZ-së në të cilat morën pjesë përfaqësues të organizatave qytetare dhe institucioneve shtetërore me të cilat bashkëpunon KSHZ dhe ngjashëm”, thuhet në kumtesë.

Gjatë këtij procesi, siç informon KSHZ, është bashkëpunuar edhe me konsulentin ndërkombëtar të angazhuar nga Komisioni i Venecies në kuadër të Këshillit të Evropës.

Dy dokumentet do të publikohen në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë” dhe në faqen e internetit të KSHZ-së.