Kryeministri irakian ka shpallur fitoren ndaj Shtetit Islamik në Mosul të hënën, tre vjet pasi militantët pushtuan qytetin dhe e bënë fortesë të “kalifatit” për të cilin thanë se do pushtonte botën.

“Shpall nga këtu fundin dhe dështimin dhe kollapsimin e shtetit terrorist të gënjeshtrës dhe terrorizmit të cilin grupi terrorist Daesh e shpalli nga Mosuli”, ka thënë Haider al-Abadi në një deklaratë të shfaqur në televizionin shtetëror, duke përdorur akronimin arab për Shtetin Islamik, raporton Reuters.

Koalicioni i përbërë nga 100 mijë ushtarë nga njësite të qeverisë irakiane, nga Peshmerga kurde dhe militantë shiitë nisën ofensivën për rikthimin e qytetit nga militantët në muajin tetor të vitit të kaluar, me përkrahje kyçe ajrore dhe tokësore nga koalicioni i drejtuar nga SHBA’ja.

Abadi, i veshur me një uniformë të zezë ushtarake dhe i rrethuar nga komandantë ushtarakë, falënderoi trupat dhe koalicionin. Por paralajmëroi se sfida të shumta e presin vendin.

“Kemi një mision tjetër para nesh, që është krijimi i stabilitetit, ndërtimi dhe pastrimi i celulave të Daeshit që kërkojnë inteligjencë dhe përpjekje të sigurisë, dhe unitet i cili na mundëson luftimin e Daeshit”, ka thënë ai para se të ngrite flamurin irakian.