Në intervistën e parë politike pas marrjes së detyrës si kryetare e LSI, Monika Kryemadhi shuan të gjithë zërat lidhur me qëndrimin kësaj force politike, pas dorëheqjes se nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.

“Tërheqja e saj ishte një tërheqje politike për të bërë të qartë që ne tashmë në Bashkinë e Tiranës do të jemi në opozitë”, deklaron Kryemadhi.

Në opozitë LSI do të jetë dhe në të gjithë këshillat bashkiakë, por qëndrimet do të jenë në varësi të çështjeve në diskutim. “Aty ku janë vendime që janë në funksion të qytetarëve, absolutisht ne nuk kemi asnjë gjë dhe do t’i votojmë”, thotë Kryemadhi.

Kryetarja e LSI siguron se nuk do të ketë lëvizje kryetarësh te këshillave bashkiakë, pavarësisht rreshtimit të ri të LSI.

“Çdo kryetar këshilli apo çdo njeri i cili është i emëruar me votat bashkarisht duhet të zbatojë ligjin, duhet të zbatojë rregulloren e Këshillit Bashkiak, sepse ajo është që e bën të domosdoshme. Unë nuk mendoj që heqja e Monikës dhe vendosja e dikujt do të sillte ndonjë ndryshim. Ajo çka është e rëndësishme është që LSI do të jetë tashmë shumë prezente dhe shumë më aktive”, thotë Kryemadhi.