Kuvajti i përcolli Riadit zyrtar përgjigjen e administratës së Katarit në lidhje me listën 13-pikëshe me kërkesat e Arabisë Saudite, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahrejnit.

Siç bën të ditur televizioni saudit “Al-Arabiya”, ministri kuvajtian i Punëve të Kabinetit, Mohammed Abdullah al-Sabah, është takuar në Xhidë të Arabisë Saudite me ministrin e Punëve të Jashtme të këtij vendi, Adel bin Ahmed al-Jubeir.

Al-Sabah i përcolli kryediplomatit saudit përgjigjen, që Katari i kishte dorëzuar Kuvajtit ditën e hënë në lidhje me listën e kërkesave të 4 vendeve arabe të Gjirit.

Megjithatë televizioni saudit nuk dha asnjë informacion rreth përmbajtjes së përgjigjes së Dohas.

Shefat e diplomacisë së vendeve në fjalë, të cilat kanë ndërprerë lidhjet me Katarin dhe ushtrojnë bllokadë ndaj tij, pritet të takohen sot në Egjipt, në përgjigje të ftesës së ministrit të Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, për të shqyrtuar hapat që do të bëhen në marrëdhëniet me Dohan.

Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Sheiku Mohamed bin Abdulrahman al-Thani, ka deklaruar pak ditë më parë se kërkesat e vendeve arabe, të cilat e kanë izoluar vendin e tij, janë “joreale dhe të palogjikshme”.

Mbyllja e televizionit “Al-Jazeera”, ulja e nivelit të marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe mbyllja e bazës ushtarake turke janë disa nga 13 kërkesat, të cilat 4 shtetet arabe i kanë dërguar Katarit për miratim.

Arabia Saudite, Egjipti, EBA dhe Bahrejni i kanë dërguar Katarit listën me kërkesat, të cilat duhen përmbushur brenda afatit nëse dëshiron t’i hiqen sanksionet diplomatike dhe ekonomike.

Por Katari ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e vendeve arabe se po e financon terrorizmin dhe po destabilizon rajonin.