Procesi i monitorimit të shpenzimeve të fushatës elektorale të 25 qershorit, edhe pse u trumbetua si një risi në këto zgjedhje, sërish shkoi drejt dështimit.

Financat e partive edhe këtë vit elektoral do të bëhen “transparente” nga vetë partitë politike, pra siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e shkuara, shkruan “Panorama”.

Ekspertët financiarë të angazhuar në monitorimin e aktivitetit të Partisë Socialiste kanë deklaruar se kanë arritur që të ndjekin nga afër vetëm 8 mitingje të partisë më të madhe të së majtës.

Ndërkohë që Partia Socialiste, në një muaj fushatë, ka zhvilluar në total 93 aktivitete, të gjitha këto ku ka qenë i pranishëm kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministri i vendit, Edi Rama.

Për këto aktivitete, ekspertët e caktuar për të monitoruar Partinë Socialiste kanë arritur të riprodhojnë një shifër të përafërt të shpenzimeve financiare, por serish problematika mbetet e njëjtë: të dhënat e raportit përfundimtar do të jepen nga vetë partitë dhe më pas ato, si vitet e tjera, do të marrin edhe firmën e ekspertëve të pajtuar nga KQZ-ja.
Ndërkohë që ekspertët e angazhuar në monitorimin e shpenzimeve të PD-së dhe LSI-së kanë deklaruar se janë në pritje të marrjes së dokumentacionit nga partitë politike.

MITINGJET

Aktiviteti i përmbylljes së fushatës elektorale në Tiranë, sipas ekspertëve, ka kushtuar rreth 4 milionë lekë të rinj, ose rreth 40 mijë dollarë.

Nga këto, ekspertët kanë përllogaritur se shpërthimet piroteknike kanë kushtuar 200 mijë lekë vetëm për një njësi, ndërsa 600 mijë lekë kanë kushtuar 2000 bluzat e shpërndara për militantët, 200 mijë lekë janë shpenzuar për shiritat e dorës me logon e PS-së dhe 2 milionë lekë janë llogaritur 10 mijë flamuj.

Ekspertët kanë llogaritur se vetëm në Tiranë për podiumin, banerat, ekranin LED, ndriçimin, foninë, një fotograf dhe një kameraman, Partia Socialiste ka harxhuar 315 mijë lekë të rinj.

Sipas ekspertëve, aktiviteti i dytë më i shtrenjtë për PS-në ka qenë ai i Fierit. Në këtë tubim elektoral, PS ka shpenzuar për mitingun rreth 1,870,000 lekë. Ndërsa në Durrës, PS ka shpenzuar 980 mijë lekë. Në Kavajë 180 mijë lekë, në Paskuqan 149 mijë lekë, në Gramsh 295 mijë lekë, në Kashar 165 mijë lekë.

Ndërsa aktiviteti me shpenzime më të ulëta është raportuar mitingu i Partisë Socialiste në Sarandë, me 91,500 lekë. Në total, vetëm për 8 mitingje elektorale PS ka shpenzuar 7,760,000 lekë të rinj, ose rreth 70 mijë dollarë.

Mbeten për të raportuar shifrat e 85 aktiviteteve të tjera të Partisë Socialiste. Por ekspertët, në raportin e dorëzuar në KQZ më 23 qershor, një ditë para heshtjes zgjedhore, theksojnë se kostot e llogaritura janë të përafërta.

“Kostot e mësipërme janë bërë me një përllogaritje të përafërt, bazuar në çmimet e tregut. Më marrjen e një informacioni më të saktë nga financa e Partisë Socialiste, do të bëhet një përllogaritje në bazë të dokumenteve e do të pasqyrohet në raportin përfundimtar”. thekson raporti i ekspertëve financiarë Stoli Laze dhe Silvana Gjikdhima.