Kosova ka plazh edhe pse nuk ka det. Kush dyshon atëherë këtë mund ta vërtetojë në Mitrovicë.

Me një investim të Bashkimit Evropian, rrjedha e lumit Ibër në fshatin Gushavc, është shndërruar në një plazh të bukur.

Përveç ujit të pastër e rërës së mirë, plazhi është publik dhe për ta shfrytëzuar nuk harxhohet asnjë cent.

Së paku Mitrovica e ka një plazh ku të gjithë mund ta vizitojnë e freskohen në ujin e pastër të Ibrit. Ky është viti i parë i lëshimit të këtij plazhi në shfrytëzim.

Këtë investim, mitrovicasit por edhe të tjerë që vijnë nga komuna të tjera, e kanë mirëpritur, madje thonë se janë të kënaqur me gjithë punën që është bërë.

Një tjetër pushuese e këtij plazhi thotë se në mungesë të mundësive ekonomike për të shkuar në pushime, plazhi pranë lumit Ibër i ka bërë që mos ta ndjejnë edhe aq shumë mungesën e bregdetit

Ndërsa të tjerët, duke shprehur kënaqësinë për këtë mundësi që u është ofruar, thonë se tani u mbetet institucioneve dhe vetë qytetarëve që ta mirëmbajnë këtë vend të bukur.

Bashkimi Evropian vite më parë ka filluar projektin e ndërtimit të shtratit të lumit, plazhit dhe disa investime të tjera në këtë pjesë të Mitrovicës. Pritet që nga fshati Gushavc, ku ndodhet ky plazh, të zgjerohet dhe më lart drejt rrjedhës së lumit Ibër.