Mbi 40 milionë euro i humbi buxheti i Kosovës për shkak se nuk i plotësoi kriteret e kërkuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Bashkimi Evropian.

FMN-ja nuk do t’ia japë Kosovës 16 milionë euro ngaqë qeveria nuk i ka përmbushur vërejtjet lidhur me amendamentimin e ligjit dhe kategorizimit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore. Ndërkaq, nga Bashkimi Evropian Kosova i humbi 25 milionë euro për të njëjtin arsyetim.

E ligji nuk u rishikua si pasojë e situatës politike dhe zgjedhjeve jashtë afatit kushtetues. Përkundër humbjeve milionëshe, zyrtarë të Ministrisë së Financave thonë se 16 milionëshi nuk është ndonjë humbje e madhe sepse janë në formë kredie, transmeton Gazeta e Re.