24 orë pas përfundimit të takimit të parë të raundit të tretë kualifikues të Europa League ndaj Mllada Boleslavit, skuadra e Skënderbeut mbërriti në Aeroportin e Rinasit disi e raskapitur për shkak të udhëtimit tranzit nga Bergamo.

Trajneri Ilir Daja i bën një analizë të shkurtër kësaj përballjeje që u mbyll me fitoren 2-1 të ekipit çek, duke pranuar se Skënderbeu nuk u shfaq në nivelin e tij më të mirë, sidomos në pjesën e parë.

Dua ta ndaj me dy pjesë ndeshjen. Zhvilluam një pjesë loje të mirë dhe një jo shumë të mirë. Mendoj se shanset për kualifikim i kemi, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm në fushën tonë”, deklaroi trajneri Ilir Daja.  

Goli i shënuar në fushën kundërshtare, rikthimi i Lilajt dhe Xhejmsit, i japin përparësi Skenderbeut në “Elbasan Arena”, por përtej optimizmit në kampin korçar këmbëngulin se duhet të jenë shumë të kujdesshëm përballë një kundërshtari të organizuar mirë.

Do të kishte qenë ideale që ndeshja të luhej në Korçë, por Daja zbulon se ka një plan nga ana e presidencës për të bërë të mundur praninë e një numri sa më të madh tifozësh në “Elbasan Arena”.