Presidenti i Kosovës tashmë ka caktuar datën e mbajtjes së seancës konstituive me 3 gusht. Por Lëvizja Vetëvendosje e cila nuk iu përgjigj ftesës së takimit, thotë se detyrë e presidentit është vetëm ta caktojë datën, e jo të bëj lojëra politike, ashtu siç po vazhdon të bëjë.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje thotë se Thaçi, po sillet si president vetëm i PAN-it, të cilit i dhuroi dhe dhjetë ditë peshqesh që të mund t’i bëjnë numrat, të cilët sipas tij siç po duken nuk i kanë.

“Ai qëllimisht e zvarriti gjithë këtë kohë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Presidenti nuk ishte në krye të detyrës kushtetuese për me caktu datë konstituive për themelimin e Kuvendit. Përveç kësaj, tash edhe 10 ditë tjera ua dha si dhuratë koalicionit PAN. Kjo është simptomë që ata nuk i kanë numrat për krijimin e Qeverisë dhe e morën një peshqesh nga presidenti Thaçi”, ka thënë Konjufca për KosovaPress.

Global

Sa i përket seancës së 3 gushtit dhe votimit të kryeparlamentarit, Konjufca thotë se VV-ja nuk do ta votojë Veselin si kryetar i Kuvendit, pasi që siç thotë ai “ai është në krye të krimit të organizuar, sa i përket politikës e po ashtu dhe kapjes së shtetit”.

Ndërsa sipas Konjufcës metoda përmes së cilës po mundohen ta konstituojnë Kuvendin dhe të krijojnë mazhorancën parlamentare, e dëmton shtetësinë dhe e dëmton demokracinë, pasi që vota e qytetarit nuk shitet dhe as nuk blihet.

T mobile In article [4]

Sipas tij, koalicioni më i shëndetshëm për Kosovën, do të ishte një shumicë parlamentare e cila nuk varet nga Beogradi dhe nga kushtëzimet e Listës Serbe.

Konjufca thotë se në rast se dështon koalicioni PAN në krijimin e Qeverisë dhe presidenti nuk i jep mundësi mandatarit të dytë, atëherë do ta çojnë në Kushtetuese.

E partitë tjera si LDK dhe AKR nuk kanë një qëndrim të prerë nëse do ta votojnë Veselin për kryeparlamentar apo jo. /kp/