Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është e domosdoshme për vazhdimin e procedurave tjera të konstituimit të Kuvendit dhe për fillimin e fazës për formimin e Qeverisë së re.

Në mënyrë që procesi i formimit të institucioneve të mos bllokohet, si zgjidhje, Vetëvendosje dhe LDK i ofrojnë koalicionit PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma që të propozojnë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se Kadri Veseli do të dështojë nëse kandidon, për mungesë të votave.

“Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, por ne jemi të gatshëm që t’i shqyrtojmë edhe emrat tjerë të cilët do të mund të propozoheshin”, thotë Konjufca, per REL.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit për datën 3 gusht. Aty, pritet që deputetët të betohen dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni.

Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, pason periudha prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë së re.