Gramoz Ruçi do të jetë kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë, të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Edhe pse emrat e ministrave të rinj do të mësohen në muajin shtator pas analizës pas zgjedhore, emri i Kryeparlamentarit të ri u mësua nga vetë kryeministri Edi Rama.

I ftuar në “Top Story”, ai konfirmoi se për të, Ruçi është 100 % emri që duhet të drejtojë Parlamentin.

“Për mua 100 përqind po! Tani shpresoj mos kem telefonatën pas emisionit që të më thotë, prit se nuk më ke pyetur mua”, tha Rama, duke nënkuptuar kështu, se këtë vendim të tijin nuk e ka konsultuar më herët me Gramoz Rucin, deputetin e Fierit, njëherësh kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.