Me ceremoninë përmbyllëse dhe panel diskutimin si pjesë e saj që sot u realizua në Komunën e Çairit u përmbyllën aktivitetet 10 javore të projektit “Shkollat e nënave: Prindërit për paqe” që kishte për qëllim trajtimin e fenomenit devijues të ekstremizmit dhe radikalizmit përmes ngritjes së vetëdijes tek prindërit, posaçërisht tek nënat si misionare të familjeve të shëndosha për të parandaluar ekspanzionin e kësaj ideologjie të errët. Të pranishëm në këtë eveniment me rëndësi të madhe ishin personalitete të shumta si: znj. Micaela Schweitzer – Bluhm zëvendës ambasadore e SHBA-ve, znj. Edit Schlaffer – Drejtoreshë e Organizatës Austriake “Women Without Borders” , përfaqësues të lartë nga misioni i OSBE-së, Bashkimi Europian, Ambasada e Holandës dhe IOM – Instituti për çështjen e migracionit, menaxheri koordinues i projektit Samet Shabani, nënat dhe edukatoret pjesëmarrëse në projekt.

Në fjalimin e tij, Kryetari i Komunës së Çairit përgëzoi dhe shprehu kënaqësinë për përfundimin e suksesshëm të këtij projekti me vlera të larta shoqërore dhe emancipuese duke faleminderuar të gjithë nënat dhe edukatoret pjesëmarrëse për angazhimin e tyre.

“Bërthama e shoqërisë është familja, mendoj se është shumë e qëlluar ideja që pikërisht me nënat të ndërtohet një punëtori e këtillë në të cilën për 10 javë është folur për mënyrat se si të ballafaqohemi dhe si të parandalojmë paraqitjet e dukurive me karakter radikalist e ekstremist. Detyra jonë si bartës të përgjegjësive publike dhe si aktorë shoqërorë, përherë ka qenë dhe ngelet përpjekja për të gjetur mënyrat më të mira për t’u ballafaquar dhe për të gjetur zgjidhje optimale për një problem të caktuar. Përgjigja jonë ndaj fenomenit të radikalizmit ekstremist nuk guxon të jetë një akt, vendim apo sjellje radikale në vetvete. Një ideologjie të gabuar kemi për detyrë që t’i përgjigjemi me një ideologji më të mirë. Komuna e Çairit gjithmonë do të jetë e gatshme që pa asnjë rezerve të mbështesë dhe ndihmojë realizimin e çdo projekti apo ideje e cila ka për qëllim që shoqërinë tonë, komunitetin tonë, shtetin tonë ta bëjë më të mirë, më tolerant, më të emancipuar dhe më paqesore.- theksoi ndër tjerash kreu i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Ceremonia u përmbyll me ndarjen e çertifikatave për pjesëmarrëset në projektin në fjalë.