Projekti i vendosjes së Ski liftit me gjashtë ulëse në Kodrën e Diellit, edhe këtë vit vazhdon punimet me probleme të shumta. Pasi vitin e kaluar gjatë vendosjes së shtyllës kryesore, u dëmtuan gypat që furnizojnë Tetovën me ujë, këtë vit është dëmtuar një kodrinë e cila ishte edhe pjesë e shtegut për skijim. Për këtë gjendje, nga ELEMI kanë fajësuar komunën e Tetovës.

Shkaku i mos dhënies së lejes për ndërtim nga komuna e Tetovës, projekti është vonuar, ndërsa së fundmi, nga ndërmarrja Publike Komunale Tetova, nuk kanë lejuar as dislokimin e gypit të ujësjellësit për disa metra që të realizohet projekti si duhet- tha Fatmir Limani, zëvendës drejtori i ELEM-it.

E megjithatë, pas dhënies së lejes, sipas Limanit, projekti ka filluar të ndërtohet 20 metra më lartë nga vendi i planifikuar dhe shkaku i këtij dislokimi është e patjetërsueshme gërmimi i një pjese të kodrinës, tha Limani përmes telefonit. Ndaj këtij shkatërrimi të kodrinës dhe hyrjes në pikën për rrëshqitje në Kodër të Diellit, kanë reaguar nga Nisma qytetare “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit, si dhe pronarët e hoteleve të Kodrës së Diellit, të cilët shprehen se, dëmi që do bëhet nga gërmimet, nuk do sanohet me vite të tëra.

 Ne ishim dje aty dhe përgëzojmë fillimin e punëve për ndërtimin e atij teleferiku, por, nuk përgëzojmë shkatërrimin e atij masivi të malit Sharr ku edhe bëhet. Nga një gabim teknik që e kanë bërë inxhinierët e kompanisë, ata sot po shkatërrojnë çdo gjë për ta përmirësuar atë. Apelojmë Ministritë të transportit dhe ekologjisë të shkojnë dhe të ndjekin hyrjen e Kodrës se në çfarë gjendje e kanë sjellë- tha Hamdi Sulejmani. Anëtar i nismës “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

 Jemi të shqetësuar nga ajo që ndodh sepse, nuk e dimë nëse duan ta ndërtojnë ski liftin apo ta bllokojnë Kodrën e Diellit, s’e dimë se cili është qëllimi i ELEM-it apo kush e ndërton- tha Hashim Hasani, pronar i një hoteli.

Projekti qeveritar  për investim në Kodrën e Diellit, ka filluar që në vitin 2012, por me vite, janë krijuar pengesa nga qeveria, Ministria e Transportit, e Ekologjisë, etj.