Kleriku më i lartë i Vatikanit që akuzohet ndonjëherë në skandalin e abuzimit seksual të Kishës Katolike Romake, kardinali australian George Pell, i ka mohuar akuzat në gjykatën në të cilën u paraqit për abuzim seksual të fëmijëve në kishën katolike në të cilën ka shërbyer gjatë viteve të 70-ta.

George Pell, këshilltari i lartë financiar i Papa Françeskut, nuk mori fjalën në seancën gjyqësore e cila u mbajt në Gjykatën Themelore në Melburn, teksa avokati i tij Robert Ritcher tha se klienti i tij nuk i pranon akuzat dhe se është i pafajshëm.

Seanca gjyqësore zgjati gjashtë minuta dhe tërhoqi vëmendje të madhe të mediave. Avokati Ritcher tha se kardinali Pell nuk do të japë asnjë deklaratë gjatë kësaj faze të gjykimit.

“Dua të potencoj se kardinali Pell nuk i pranon akuzat dhe do të vazhdojë pafajësinë që ka”, tha Ritcher.

Ndërkaq, prokuroria ka deklaruar se deri më 8 shtator ekipit ligjor që mbron Pellin do t’i dorëzojë dosjen që përmban akuzat ndaj Pell për abuzim seksual.

Kryetari i gjykatës, Duncan Reynolnds, e ka shtyrë seancën për më 6 tetor.

Protestë nga viktimat

Nga ana tjetër, viktima të abuzimit seksual dhe të afërmit e tyre janë mbledhur para gjykatës për të protestuar kundër kardinalit Pell.

Mary, një nga viktimat, për AA tha se gjatë viteve të 70-ta ishte abuzuar seksualisht në njërën nga shkollat e kishës katolike që drejtoheshin nga kardinali Pell.

Mary e ka cilësuar si ditë historike gjykimin e Pell.

“Sot është një ditë historike për të përçuar zërin e viktimave të abuzimit nga kleriku, për të dëgjuar ata, për t’i marrë seriozisht dhe për të parë drejtësinë. Ka shumë viktima që prej kohësh presin ta shohin këtë ditë”, tha Mary.

“Do të luftojmë deri sa drejtësia të fitojë”

Brian Cherry, i cili ka hapur llogari në median sociale për fëmijët e abuzuar seksualisht, theksoi se japin përpjekje në mënyrë që abuzuesit të gjykohen.

“Abuzimi i fëmijëve është një nga gjërat më të këqija që mund t’i bëhet njeriut. Do të luftojmë deri sa drejtësia të fitojë”, tha Cherry.

Ndërkaq, Elidn Radig rikujtoi se përiqen që përmes mediave të tërheqin vëmendjen e botës për abuzimet seksuale ndaj fëmijëve.