Fituesi i disa çmimeve prestigjioze në fotografimin e botës së egër, Dave Slater, luftoi me temperaturat 45 gradë celcius dhe terrenin e rrezikshëm të veriut të Indonezisë vetëm 80 kilometra larg Ekuatorit për të shkrepur një prej fotografive që shumë shpejt do shndërrohej në një nga më të famshmet në botë.

Me një çantë shpine shumë të rëndë, tripodon, kamerën dhe disa lente tepër të shtrenjta, ai u nis në udhëtimin e tij një mujor në kërkim të “Kupës së Shenjtë”, një racë e rrallë majmunësh makaki.

Qëllimi i tij ishte të fotografonte speciet e pakëta në numër dhe të tërhqite vëmendjen e botës për të mos lejuar zhdukjen e tyre.  “Kishin mbetur vetëm disa qindra majmunë makaki dhe unë i kisha parë vetëm në foto”, thotë Dave.

“Kur mbërrita aty isha i raskapitur, megjithatë u lumturova kur pashë rreth 20 majmunë që luanin së bashku”, tregon Dave i cili nisi t’i fotografojë teksa po u afrohej ngadalë.

Të nesërmen të gjithë majmunët po i hidheshin përsipër dhe luanin me flokët e tij. Ai kishte fituar besimin e tyre.

Majmunët dukeshin veçanërisht të fiksuar pas aparatit fotografik. Dave vendosi më në fund t’ua lerë në dorë. Njëri prej majmunëve shkrepi disa poza.

Kur Dave e mori sërish aparatin filloi të shikonte fotot e realizuara, shumë ishin të turbullta dhe jashtë fokusit, por mes tyre ishte edhe autoportreti njërit prej majmunëve.

Sytë kaf të ngulur në kamera, dhëmbët që dallohen nga goja gjysmë e hapur sikur po qesh, ajo ishte fotografia e përsour që Dave kërkonte.

Me t’u kthyer në Britani, Dave arriti të bëjë disa mijëra paund nga shpërndarja e fotografisë, duke arritur të mbulojë shpenzimet e udhëtimit në Indonezi.

Por me kalimin e kohës, me ardhjen e “selfie”-ve, fotografia u bë e  famshme dhe u shpërnda mbi 50 milion herë në internet. Por në vend që t’i sillte Dave të ardhura, fotografia i shkaktoi një mizori që shënoi fundin e karrierës së tij fotografike.

“Farsa” nisi në një gjykatë të Kalifornisë ku Dave u përball për herë të parë me një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, e cila e paditi fotografin në emër të majmunit 6 vjeçar makaki, duke pretenduar se është pronari i ligjshëm i së drejtës së autorit të fotografisë.

Prej 6 vitesh tashmë Dave po orvatet në një nga gjyqet më “çnjerëzore, hipokrite dhe absurde” të shekullit të 21. Kujt i takon e drejta e autorit të fotos, Dave apo majmunit?

“Sigurisht që mua”, thotë Dave, “Unë caktova kohën, vendin, dritën e diellit që ndriçonte majmunin”.

Të parët që përdorën “padrejtësisht” foton ishin Ëikipedia dhe një blog kalifornian. Ato pretendonin se fotografia është pa të drejtë autori pasi ai që shkrepi aparatin ishte majmuni. Gjyqi i kushtoi Dave plot 18 mijë paund. Askush nuk fitoi, as Dave as majmuni. Të vetmit primatë që bënë disa para duket se ishin avokatët e palëve.

Por kalvari i Dave nuk mbarron këtu. Dy vjet më pas shfaqet organizata për të drejtat e kafshëve më e famshme në botë PETA, e cila padit Daven në emër të majmunit, me argumentimin e makaki është i pamundur të përfaqësohet vetë në gjykatë.

Gjykatësi vendosi se majmuni nuk mund të ketë të drejtën e autorit pasi kafshët nuk përfshihen në Aktin e Të drejtës së Autorit në SHBA. Para një viti PETA e apeloi vendimin në një gjykatë kaliforniane duke sjellë këtë herë argumente edhe më absurde si, “a u dëmtua majmuni gjatë realizimit të fotografisë” apo “pse kafshët nuk përfshihen në të drejtën e autorit”.

PETA dukej e vendosur për të fituar të drejtën e autorit në emër të majmunit që më pas të mblidhte të gjitha të ardhurat nga fotografia.  Ndërsa Dave po çmendej. Nuk e zinte gjumi natën dhe i dukej gjithçka si një makth.

“Ndjehesha i dështuar, ndërsa s’kisha çfarë t’i ofroja më familjes time”, shprehet ai. “Makina ime ka dy vite e parkuar, s’kam më para ta riparoj. Unë nuk doja të bëhesha i pasur, ky ishte pasioni im për çka edhe mbarova shkollën, doja të siguroja disa para për të mundësuar edhe shkollimin e vajzës time”.

Dave tashmë shpreson që do fitojë dhe më në fund të marrë atë çka meriton. Kur e pyesin nëse do të donte të mos i kishte hasur kurrë majmunët makaki, ai thotë “Jo, jo, jo”.

“Kisha 6 vite që përgatitesha për këtë fotografi. Të rrisja vëmendjen për mbrojtjen e majmunëve të rrallë, ky ishte qëllimi im. Dhe ia kam arritur. Pas fotografisë e gjithë vëmendja u zhvendos aty. Tashmë vendasit nuk i gjuajnë për t’i konsumuar si ushqim, por i quajnë majmunët lozonjarë “selfie”.

 

Loading...
Global