Cilat ishin modelet që Serbia i konsideronte gjatë dekadave të shkuara për zgjidhjen e çështjes së Kosovës? Koha.net sjell hulumtimin e gazetës “Novosti” të Beogradit.

Ftesa e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për një dialog të brendshëm mbi Kosovën dhe Metohinë, siç vazhdojnë Beogradi zyrtar dhe mediat e atjeshme ta quajnë Republikën e Kosovës (në vazhdim do t’i referohemi vetëm si Kosovë), me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme e cila do të përjashtonte konfliktin si opsion, ka nxitur ditëve të shkuara rikujtimin e propozimeve të mëhershme se si të zgjidhej nyja e Kosovës, shkruan “Novosti”. Në kërkim të modeleve të zbatueshme gjatë disa dekadave të shkuara shpesh janë analizuar përvojat e provuara ndër vende në gjithë botën, nga autonomitë më të gjera deri te ndarja me kufij, ndërsa “Novosti” ka veçuar disa nga më të përfolurat në opinion (të përkujtojmë se Serbia vazhdimisht është përpjekur që me propozimet e veta të mjegullojë qëllimin e saj për ta mbajtur Kosovën të okupuar, ose për t’i shkëputur pjesën që do ta bënte të pavlerë atë që do të mbetej jashtë saj. Kështu sugjerojmë të lexohet edhe ky hulumtim i kësaj gazete, e cila bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë në Kosovën e 20 vjetëve të fundit – plotësim i redaksisë).

1. Ndarja në territor shqiptar dhe serb

Akademiku, tash i ndjerë, Dobrica Qosiq, çështjen e Kosovës e kishte hapur në mbledhjen e Komitetit Qendror (të LKJ) më 1968, ndërsa nga fillimi i viteve të tetëdhjeta e konsideronte ndarjen si një zgjidhje të qëndrueshme. Sipas tij, kjo do të ishte një kufizim i drejtë, me kompromis dhe i qëndrueshëm dhe e vetmja mënyrë për të evituar antagonizmat shekullor midis shqiptarëve e serbëve. Do të ndalej ekspansioni shqiptaromadh dhe do të krijoheshin kushtet për jetë normale të të dy popujve, ndërsa kufizimi i serbëve dhe shqiptarëve do të ishte pa synimin për territore të pastra etnike. Manastiret mesjetare serbe do të fitonin pozitë vetadministrimi sipas modelit të Atosit (Atosi është një ishull në Greqi, në të cilin jetojnë murgj dhe pushtetin e ushtron Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa shteti grek nuk ushtron asnjë ingerencë as politike, as juridike. Shkurt, është shtet në shtet, – sqarim ynë).

Një nga opsionet e përpunuara për ndarje e dr. Millovan Radovanoviqit ishte që Krahina të zvogëlohej për 40 për qind në favor të Serbisë, ndrësa 60 përqindshi tjetër, që do t’u mbetej shqiptarëve, të fitojë autonomi të gjerë, pa mundësi që ajo të rrezikojë sovranitetin e Serbisë.

Ndaj idesë për ndarje pala shqiptare përgjigjej me propozimin për “shkëmbim territoresh”: nëse vija ndarjes tërhiqej diku përmes Kosovës, shqiptarëve t’iu bashkohen edhe Presheva, Bujanoci e Medvegja.

Do thënë se ndarja asnjëherë nuk ka qenë propozim zyrtar shtetëror i Beogradit, shkruan “Novosti”, transmeton Koha.net.

2. Rajonet, kantonte dhe rregullimi i ri

Rajonizimi i RFJ ose ndarja në 13 rajone (koncept i Miodrag Joviçiqit) kurse Kosova dhe Metohia (Kosova e Rrafshi i Dukagjinit, siç e quanim dikur ne shqiptarët Kosovën – sqarim ynë), sipas atij propozimi do të ishin dy rajone të veçanta.

Krijimin e pesë kantoneve për serbët e Kosovës e kishte propozuar historiani Dushan T. Batakoviq më 1998. Sipas këtij plani, të cilin ky e kishte quajtur rirregullim territorial dhe jo ndarje, qytetet në Krahinë do të ishin nën administrim të përzier shqiptaro-serb, , ndërsa pesë kantone do të përfshinin kryesisht territoret agrare me shumicë serbe, të cilave do t’u bashkëngjiteshin manastiret me pronat që i kanë pasur deri në luftën më 1941, para eksproprijimit. Kufijtë e komunave do të ndryshonin, në mënyrë që të krijohet mundësia për formimin e komunave të vogla që do të mblidhnin lokalitete e fshatra kryesisht me popullsi serbe. Shqiptarëve, ndërkaq, do t’iu lihej mundësia që vetë të zgjedhin llojin e rregullimit.

3. Krijimi i shtetit klasik unitar

Shndërrimi i RFJ në shtet klasik unitar, në të cilin do të suprimoheshin krahinat autonome (dikur propozim i Republikës Socialiste të Serbisë).

4. Shkëmbimi dhe kopjimi i Republika Srpska

Qysh nga fundi i viteve të ’90-ta spekulohej se oferta e Beogradit për bashkësinë ndërkombëtare mund të ishte shkëmbimi i territoreve: Kosova për Republika Srpska. Një dekadë më vonë u shfaq ideja që veriu i Kosovës të fitojë autonominë më të gjerë të mundshme territoriale, thelbësore dhe të jetë njëfarë entiteti, ngjashëm me Republika Srpska.

5. Statusi federal si një zgjidhje e mundshme

Fillimisht nga fundi i viteve të ‘90-ta flitej se do të duhet të shqyrtohej që Kosovës t’i jepet statusi federal, përkatësisht që ajo të jetë republika e tretë në kuadër të RFJ-së (shteti në të cilin kishin mbetur Serbia dhe Mali i Zi aso kohe quhej Republika Federative e Jugosllavisë – sqarim ynë). Pak më vonë, idenë mbi federalizmin e Kosovës dhe mbi statusin e serbëve si popull konstituiv dhe jo të pakicës kombëtare në Kosovë e kishte shpjeguar edhe Zoran Gjingjiq në intervistën e fundit dhënë “Novostit” më 7 mars 2003. Ai priste që në Këshillin e Sigurimit të diskutohej për këtë model, e nëse ky nuk funksionon, si udhëkryq tjetër shihte bisedimin rreth “njëfarë modeli qipriot për Kosovën, me një zhvendosje territoriale të civilizuar të popullsisë”. Me federatën e Kosovës Serbia do të kishte raporte asimetrike – me entitetin serb lidhje të dyfishta, ndërsa me atë shqiptar pak më të lirshëm. Por nëse edhe kjo nuk do të funksiononte, atëherë, kishte thënë Gjingjiq, duhet të pasojë një lloj “kufizimi intern”:

Varianti i fundit rezervë është: konferencë ndërkombëtare në të cilën do të shihej se si e gjitha të zgjidhej përgjithmonë.

6. Modeli i Tirolit të Jugut

Shpesh është përmendur si model (modeli i Tirolit të Jugut – plotësim ynë) elementet e të cilit ndoshta janë më të zbatueshmit në rastin e Kosovës dhe për AKS-në (Asociacionin e Komunave Serbe) e ardhshme. Pas Luftës së Parë Botërore Tiroli Jugor u shkëput nga Austria dhe iu bashkua Italisë, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, në bazë të Marrëveshjes së Parisit iu dhanë të drejta të gjera pakicës gjermane. Në Tirolin Jugor jetojnë rreth 35 për qind gjermanë dhe rreth 60 për qind italianë. Se si funksionon ai model, “Novosti” citon deklaratën e vitit 2014 të Tomas Vidmanit, kryetarit të Kuvendit të Tirolit Jugor:

“Një varg kompetencash ligjore dhe administrative janë transferuar në Tirolin Jugor. Krahina ka kompetenca primare e sekondare, por ekzistojnë edhe kompetencat e shtetit. Në kompetencat primare bëjnë pjesë kultura, çerdhet, çështjet sociale, rrugët, transporti lokal publik, tregtia, industria, mbrojtja civile… Në kuadër të këtyre fushave Tiroli Jugor mund të nxjerrë ligje pavarësisht nga dispozitat shtetërore. Kompetenca sekondare janë sporti, arsimi dhe shëndetësia, ndërsa mbrojtja, policia, gjyqësia dhe fi8nancat janë në dorë të shtetit.

7. Më shumë se autonomi, më pak se republikë

Një dekadë para se njëanshëm Kosova të shpallte pavarësinë, në qarqet ndërkombëtare fillimisht u shfaq formula “Më shumë se autonomi, më pak se republikë”, ndërsa më vonë gjatë negociatave me palën shqiptare, oferta serbe ishte: “Më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”. E para vetëkuptonte një status të ngjashëm çfarë ia kishte mundësuar Kushtetuta e vitit 1974, me pjesëmarrje të barabartë në nxjerrjen e ligjeve federative, nxjerrjen e pavarur të Kushtetutës së vet, Kryesi të vet (si republikat e tjera – sqarim ynë).

E dyta kishte domethënien e zgjerimit të autonomisë në krahasim me atë të vitit 1999 dhe me garanci ndërkombëtare.

8. Ishujt Olande nuk kanë sovranitet

Ishujt (Olande) nuk janë të pavarura, kanë qeverinë e vet, parlamentin, flamurin, policinë… por sovraniteti i takon Finlandës. Kanë më pak se 30 mijë banorë, nga të cilët 90 për qind janë suedezë, ndërsa finlandezë rreth njëmijë.

9. Plani i Marti Ahtisaarit

Plani i të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaari Kosovën e parasheh si shoqëri multietnike, ndërsa ushtrimi i pushtetit do të mbështetej në barazinë e të gjithë qytetarëve. Parasheh autonomi të gjerë për komunat serbe nën pushtetin e plotë të Prishtinës.

Kisha Ortodokse Serbe (SPC) në Kosovë do të njihej si pjesë e SPC të Beogradit, ndërsa institucionet dhe autoritetet e Kosovës do të kishin qasje në hapësirat e saj me lejën e Kishës Ortodokse Serbe. Këshilli i Sigurimit të KB, pas vetos ruse, e ka hedhur poshtë Planin e Ahtisarit.

10. Një shtet me dy sisteme

një shtet, por dy sisteme, përkatësisht Hong Kongu është shembull i autonomisë së gjerë pjesë të të cilës pala serbe i ka “ftuar në ndihmë” gjatë negociatave me shqiptarët e Kosovës. Dallimi me Kosovën është se në Hong Kong shumica e popullsisë janë kinezë. Pas rikthimit nën sovranitetin e Kinës më 1997, një shekull e gjysmë me pushtet britanik, Hong Kongu u shndërrua në krahinë të veçantë administrative. Ka valutën e vet, pushtetin ligjvënës dhe sistem të pavarur gjyqësor, por Kongresi Kombëtar Gjithëkinez mund të anulojë ligjet e Hong Kongut.

11. Marrëveshja midis dy Gjermanive

Me marrëveshjen nga viti 1972, Republika Federale Gjermane (Gjermania Perëndimore) dhe Republika Demokratike Gjermane (Gjermani Lindore) askund nuk përmendet njohja reciproke e të dy shteteve, por parashihet se ato do të zhvillojnë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe moscenimi i kufijve të përbashkët si dhe se do të lidhin një varg marrëveshjesh nga fusha e ekonomisë, kultura, shëndetësia, telekomunikacioni, sporti. Edhe ky model është përmendur gjatë negociatave me Kosovën më 2007 (e ka parashtruar përfaqësuesi i BE në “treshen” ndërmjetësuese Vofgang Ishinger), madje përmendet edhe sot nga pala e politikanëve perëndimorë, ndrësa argumenti kryesor i kundërshtarit të kësaj zgjidhjeje është se në të dy Gjermanitë jetonin gjermanë, ndryshe nga struktura etnike në Kosovë.

12. Përvojat e fituara në Irlandën Veriore

Janë shqyrtuar edhe elementet e zgjidhjes së problemit etnik e fetar në Britaninë e Madhe në mes të përfaqësuesve të shumicës protestante dhe të pakicës katolike në Irlandën Veriore. Gjatë këtij konflikti katolikët u përpoqën që Irlandën Veriore t’ia bashkonin Republikës së Irlandës, ndërsa unionistët protestantë – Anglisë. Më Marrëveshjen e Paqes nga viti 1998 Irlanda Veriore fitoi qeverinë me autonomi të gjerë, ndërsa IRA katolike paramilitare si përgjigje hoqi dorë nga dhuna si mënyrë për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet katolikëve dhe protestantëve.

13. Grupi Ndërkombëtar i Krizave

Para vetëdaklarimit të pavarësisë së Kosovës, Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK) sugjeroi që të gjitha palët duhet të pajtohen që Kosovës nuk do t’i lejohet të bashkohet me Shqipërinë, se nuk do të ketë ndarje të saj dhe se prania ndërkombëtare do të vazhdojë në disa baza edhe pas arritjes së marrëveshjes.