Vera e këtij viti po duket të jetë ndër më të nxehtat që kemi parë ndonjëherë. Shumë qytetarë të Republikës së Kosovës tanimë kanë nisur planet e tyre se ku do t’i kalojnë pushimet verore.

Instituti Hidrometeorologjik ka treguar se si do të jetë moti mbi vendin tonë gjatë këtyre dy muajve. Në një prononcim për Indeksonline,  Besim Aliu sqaron se si do të jetë koha gjatë kësaj pjesë të këtij muaji dhe atij që po vjen.

“Temperaturat në vazhdim do të jenë prej 30 deri 32 gradë celsius, do të ketë reshje të pakta, është mungesë e reshjeve gjatë gjithë muajit korrik, pastaj ditëve në vijim temperaturat do të jenë në pikat e normales së mesatares. Pastaj muaji gusht sipas parashikimeve numerike do të jetë më i freskët se sa muaji korrik”, ka thënë Aliu.

Ndërkaq, kujtojmë se për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vendin tonë është rritur edhe numri i pacientëve në QKUK të cilët po helmohen nga ushqimi apo edhe po ju paraqiten probleme ndër më të ndryshmet.
Kësisoj, mjekët po bëjnë thirrje për qytetarët që të kenë sa më shumë kujdes gjatë blerjes së ushqimit dhe të konsumojnë pemë dhe perime të freskëta.