Në Bruksel mbahet sot një takim i Këshillit NATO-Rusi, i cili pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve dhe rreziqeve, pas disa incidenteve ajrore mbi Detin Baltik.

Muajin e kaluar, NATO ka thënë se ka përcjellë tre avionë rusë mbi det, përfshirë dy që nuk u janë përgjigjur kontrollorëve të trafikut ajror apo kërkesave për identifikim.

Moska ka thënë se të gjitha fluturimet e Rusisë mbi Baltik janë bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Në takimin në Bruksel, zyrtarët e NATO-s pritet t’i bëjnë presion Rusisë për t’i paraqitur planet e fluturimit mbi zonën baltike.

NATO ka pezulluar gjithë bashkëpunimin praktik me Rusinë pasi Moska ka aneksuar Krimenë në vitin 2014, porse kanalet politike kanë mbetur të hapura përmes Këshillit.