Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti kanë pranuar të shtyjnë edhe për 48 orë afatin e paraparë për Katarin për plotësimin e listës së kërkesave, pasi një gjë e tillë paraprakisht u kërkua nga Kuvajti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në një deklaratë të përbashkët me shkrim të katër shteteve në fjalë që është publikuar në agjencinë e lajmeve të Arabisë Saudite, SPA, katër shtetet kanë pranuar kërkesën e emirit të Kuvajtit Sheik Sabah al-Ahmed al-Xhabir. Sipas deklaratës, si arsye e pranimit të kërkesës së Kuvajtit është “konfirmimi i qeverisë së Katarit se të hënën do të dorëzojë përgjigjen e saj zyrtare”.

Në deklaratë po ashtu thuhet se shtetet që kanë vendosur bllokadën do të shpallin vendimin e tyre pasi ta shqyrtojnë përgjigjen e Katarit.

Ndryshe, emiri i Kuvajtit Sabah më herët ka kërkuar të shtyhet për 48 orë afati i njohur për Katarin për plotësimin e kërkesave të parashtruara që skadonte të hënën, pasi ministri i Jashtëm i Katarit Sheik Muhammed bin Abdurrahman Al Thani të hënën viziton Kuvajtin, ku do ta konfirmojë përgjigjen zyrtare të shtetit të tij.

Kriza diplomatike në Gjirin Persik shpërtheu më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Jemeni ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera në rajon dhe për mbështetjen e grupeve terroriste.