Katari planifikon të rrisë prodhimin e tij të LNG-së për 30 për qind brenda shtatë vitesh, ka theksuar drejtori ekzekutiv i Katar Petroleum të martën, raporton Anadolu Agency.

Saad Sherida Al Kaabi, në një konferencë shtypi në kryeqytetin e Katarit, Doha, tha se vendi planifikon të rrisë prodhimin e gazit nga fusha e tij e madhe e Veriut.

Aktivitetet në fushën e Veriut do të rrisin prodhimin e LNG-së së vendit në 100 milion ton në vit nga të tanishmet 77 milion ton në vit. Al Kaabi gjithashtu theksoi se kërkesa për LNG po rritet më shpejt se kërkesa për naftë.

Sipas shifrave zyrtare nga Unioni Ndërkombëtar i Gazit dhe nga Grupi Ndërkombëtar i Importueseve të Gazit Natyror Lëngëzues, Katari ka eksportuar 77 milionë ton LNG në vitin 2016.

Ndërsa shitjet në rajonin e Azisë llogariten mbi 60 për qind të totalit të eksporteve të LNG-së së Katarit, destinacionet kryesore të eksportit gjithashtu janë Japonia, Koreja e Jugut, India, Britania e Madhe dhe Kina.

Katari ka eksportuar 14.5 milion ton LNG në Japoni, 12.3 milion ton në Korenë e Jugut, 8.8 milionë ton në Indi, 9.3 milion ton në Britani të Madhe dhe rreth 5 milion ton në Kinë.

Disa shtete arabe, si Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Jemeni, kanë vendosur një bllokadë diplomatike dhe ekonomike ndaj Katarit, të cilin ata e akuzojnë se mbështetet terrorizmin.

Doha mohon akuzat dhe ka hedhur poshtë listën e përpiluar prej 13-pikësh të kërkesave nga katër vende për heqjen e bllokadës.