Ministri i Jashtëm i Katarit Sheikh Muhammed bin Abdurrahman Al-Thani, tha se vendi i tij do të refuzojë kërkesat që i janë dërguar Dohas nga katër vendet arabe, raporton Anadolu Agency (AA).
“Katari do të refuzojë listën prej 13 kërkesave, të përpiluar nga Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini me qëllit për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Dohan. Këto kërkesa nuk janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e Katarit për sovranitet”, ka thënë Al-Thani para gazetarëve në Romë.
Katari të shtunën e kaluar ka marrë një listë kërkesash nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti, 18 ditë pas ndërprerejs të marrëdhënieve diplomatike me këtë vend dhe impononimit të embargos kundër tij.
Mediat raportojnë se kërkesa, ndër të tjera, ka të bëjë me mbylljen e rrjetit mediatik Al Jazeera, ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin, mbylljen e bazës ushtarake turke në vend dhe ekstradimin e “terroristëve”.
Këto vende kanë kërkuar nga Doha që brenda 10 ditëve të përmbushë kërkesat e tyre.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti, Bahreini dhe Jemeni, më 5 qershor njoftuan ndërprerjen e të gjitha lidhjeve diplomatike me Katarin, të cilat e akuzojnë për destabilizim të rajonit. Ndërsa qeveria e Katarit ka refuzuar plotësisht të gjitha pretendimet e bëra për mbështetje të terrorizmit.
Katari pohon se akuzat janë të pabaza dhe pengojnë zgjidhjen e qetë të krizës.