Tre kandidatë për deputetë që kishin numrin e njëjtë me atë të partisë kanë marrë vota edhe “në kurriz” të kësaj rastësie.

Driton Selmanaj, Teuta Haxhiu dhe Ali Lajçi janë “deputetët fatlumë” të këtyre zgjedhjeve.

Këta tre kandidatë që garuan në lista të subjekteve të ndryshme e kishin numrin rendor në listën e subjektit apo koalicionit të tyre të njëjtë me numrin e subjektit të tyre në garë.
Që të tre janë zgjedhur deputetë me një numër të konsiderueshëm të votave.

Driton Selmanaj i aderuar në LDK pak javë para ditës së zgjedhjeve ka arritur të dalë deputeti i katërt më i votuar brenda listës së Koalicionit LDK-AKR- Alternativa me 35 mijë e 250 vota. Më shumë vota kanë vetëm Avdullah Hoti, Vjosa Osmani e Behgjet Pacolli.

Selmanaj i ka hyrë garës me numër 16 në listë, ndërsa të njëjtin numër e kishte edhe Koalicioni LAA.

Numër të njëjtë në listë me atë të subjektit ka pasur edhe kandidatja e koalicionit PAN, Teuta Haxhiu e AAK-së. Ajo ka marrë plot 15 mijë e 853 vota.

Numri i saj në listë ka qenë 12, aq sa ka qenë edhe numri i koalicionit PAN në fletëvotimet e 11 qershorit.

Haxhiu ka dallim të madh të votave në krahasim me zgjedhjet e 2014-ës, kur kishte pasur vetëm 4 mijë e 2 vota, që i bie se ka pasur rritje prej 11 mijë e 851 vota.
Ulësen e deputetit e ka siguruar edhe Ali Lajçi i Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila i hyri garës me numër 35, e i 35-ti në listë ishte i renditur edhe Lajçi.

Ai në këto zgjedhje ka  marrë 10 mijë e 441 vota. Në zgjedhjet e 2014-ës, Lajçi kishte garuar nën ombrellën e Aleancës për Ardhmërine e Kosovës dhe kishte marrë vetëm 1 mijë e 970 vota.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar para zgjedhjeve për “privilegjin” që e kanë këta kandidatë.

Edhe në zgjedhjet e 2014-ës, ka pasur deputetë të cilët kanë “pasur fatin” e këtyre treve.

Raif Qela, Njomza Emini e Bali Muharremaj edhe pse kishin qenë larg të vendosur në listat e partive të 2014-ës, kishin marrë votat e mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.
Madje kishin lënë jashtë Kuvendit disa prej emrave të njohur brenda partive të tyre./Kallxo.com/