Ushtria kanadeze shfrytëzoi Twitterin për të mirëpritur rekrutë nga të gjitha identitetet gjinore të mërkurën, pak orë pasi Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të ndalojë personat transgjinorë në Ushtrinë Amerikane.

Cicërima nga llogaria zyrtare e Forcave të Armatosura Kanadeze përmbante edhe një fotografi ushtarësh që marshojnë në një paradë me flamuj me ylbere në instrumentet e tyre, raporton Reuters.

 “I mirëpresim të gjithë kanadezët e të gjitha orientimeve seksuale dhe identiteteve gjinore. Bashkohuni me ne”, shkruan Ushtria Kanadeze në Twitter, me një hashtag #DiversitetiËshtëForcaJonë, transmeton Koha.net.

Brenda vetëm dy ore është shpërndarë rreth 6 mijë herë.

Njoftimi i befasishëm i Trumpit, në një seri postimesh në Twitter të mërkurën, u dënua nga grupe të të drejtave të njeriut dhe disa ligjvënës nga të dy partitë politike në SHBA dhe u quajt si diskriminim me motive të qarta politike. Por është përkrahur nga aktivistë konservatorë dhe nga disa Republikanë.

Kjo nuk është hera e parë që shteti i Kanadasë “ironizon” me SHBA-në. Në muajin janar të këtij viti, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, në kohën kur Trump kishte lëshuar një urdhër ndalimi për disa vende me shumicë myslimane, kishte shkruar:

“Për ata që ikin nga persekutimi, terrori dhe lufta, kanadezët do t’ju mirëpresin, pavarësisht besimit tuaj. Diversiteti është forca jonë”.