Vitet kalojnë, por finalja Brazil-Itali e Botërorit të vitit 1994 vazhdon të mbetet njëra nga më të diskutuarat ndoshta edhe në histori të futbollit.

Sot në datën 17 korrik, bëhen plot 23 vite nga zhvillimi i kësaj finaleje, e cila u fitua nga Brazili 3-2 pas ekzekutimit të penalltive, me Roberto Baggio që humbiste penalltinë vendimtare për Italinë.

Baggio ishte një frymëzim për ‘azurrët’, pasi kishte shënuar dy gola në 1/16 ndaj Nigerisë, kishte shënuar në fund të ndeshjes çerekfinale ndaj Spanjës për fitoren 2-1, kishte shënuar të dy golat në fitoren 2-1 në gjysmëfinale ndaj Bullgarisë, për të arritur finalen, ku i priste Brazili.

Finalja me Brazilin përfundoi 0-0 në kohën e rregullt, dhe ndeshja shkoi në penallti. Ish-lojtari i Juventusit, Milanit e Interit, godiste penalltinë vendimtare, duke goditur topin mbi portë për humbjen 3-2 të Italisë.

“E kam kujtuar për shumë vite. Ka qenë momenti më i keq në karrierën time”, ka deklaruar Baggio në një intervistë të dhënë vite më parë për ‘The Guardian’, kur kujtonte finalen me Brazilin.

“Unë ende e ëndërroj atë moment. Nëse ndonjë gjë nga karriera ime do të fshihja, sigurisht që do të ishte ajo penallti”, ka vazhduar ai.