Arben LLALLA

Këto ditë në mediat shqiptare po flitet se në kabinetin Rama 2 do ketë ministra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Si ide është për t’u përkrahur, por duke patur parasysh se shqiptarë ka në Preshevë, Mal të Zi, Çamëri, e gjetkë nuk e shoh të arsyeshme që të mbështetet ideja për ministër në kabinetin Rama 2 nga Kosova dhe Maqedonia, por për themelimin e Ministrisë së Diasporës. Sepse, lind pyetja: Përse shqiptarë të Maqedonisë ministër i Ramës 2 dhe jo të Preshevës? Përse ministër nga Kosova dhe jo nga Mali i Zi? Përse mos të ketë ministër nga Çamëria? Pra, çështja nuk është aq e thjeshtë, prandaj Edi Rama duhet të themelojë Ministrinë e Diasporës, idenë dhe projektin e kësaj ministrie e ka hedhur PDIU, e cila e ka njërën nga pikat kryesore në programin e saj.

Ministria e Diasporës do të përfshinte në gjirin e saj, jo vetëm shqiptarët nga Kroacia, Sllovenia, Serbia, Presheva, Mal i Zi, Maqedonia, Çamëria, por edhe diasporën e hershme të Turqisë, Bullgarisë, Ukrainës, Rumanisë, Egjiptit, Sirisë, Jordanisë e gjetkë. Kjo ministri do krijonte lehtësira, përkujdesje edhe për emigrantët ekonomikë të pas viteve 1990, për mosasimilimin, për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe të trashëgimisë kombëtare. Kosova pa përvojë të gjatë shtetformuese është treguar më serioze për diasporën duke themeluar Ministrinë e Diasporës, ende pa e shpallur pavarësinë e saj. Ministria e Diasporës e Kosovës ka bërë hapa të suksesshme në përkujdesje të shqiptarëve nëpër botë duke sjellë në Kosovë për herë parë në vitin 2004, rreth 30 arvanitas për të njohur njëri-tjetrin, shpërndarë Abetare, hapur kurse për mësimin e gjuhës shqipe. Por, Shqipëria, e cila ka më shumë se 100 vjet shtet dhe ku pretendohet se rreth 35% shtetas të saj janë në emigracion hesht për themelimin e një ministrie të tillë. E vetmja parti që ka në programin e saj themelimin e Ministrisë së Diasporës është PDIU, e cila në bashkëpunim me Shoqatën “Çamëria” të Shqipërisë dhe të Izmirit në vitin 2012 dërgoi Abetaret e para për mësimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e klasave të para për mësimin dhe kulturën shqiptare në Izmir të Turqisë. Sot, kanë kryer arsimin fillestar të gjuhës shqipe me qindra shqiptarë nga diaspora e atjeshme.

Prandaj, mendoj se nuk ka nevojë për ministra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, por për Ministrinë e Diasporës, e cila do të kujdesej për ata njerëz që prej dhjetëra vitesh dërgojnë miliona euro në vendlindje. Që Shqipëria, gjuha shqipe dhe kultura jonë tradicionale mos të jenë atdhe i humbur për shqiptarët, të cilët pas luftërave, gjenocideve që kanë ndodhur në shekujt e kaluar dhe emigrimit ekonomik lanë trojet e të parëve. Nuk do të jetë tragjike apo nënshtrim, nëse Edi Rama fton për këshillime njerëzit që kanë njohje të thella për diasporën, por edhe ekspertët e PDIU-së, të cilët prej disa vitesh promovojnë dhe kërkojnë themelimin e Ministrisë së Diasporës.

T mobile In article [4]