Edison Kukaj është i riu shqiptar, i cili mbeti i vdekur në një aksident rrugor mëngjesin e djeshëm në Itali. Identiteti i viktimës është bërë i ditur nga mediat lokale, që kanë publikuar edhe foton e tij.

Aksidenti ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit në autostradën A16 Napoli-Canosa, në Grottaminarda.

Kukaj, me banim në Itali, ishte duke drejtuar një makinë tip “Renault Twingo” në drejtim të Barit, kur në kilometrin e 88-të të autostradës, mjeti u përplas me mbajtëset e hekurta të rrugës.

Përplasja ishte e fuqishme dhe fatale për shqiptarin, ndërsa e fejuara e tij amerikane, me origjinë nga Nju Jorku, u shtrua në spital, pasi mbeti në gjendje shoku. Vajza është jashtë rrezakut për jetën.

Paraprakisht, dyshohet se përplasja ndodhi pasi makina “Renault” lëvizte me shpejtësi të madhe.

Çifti i dashur la Firencen mbrëmjen e së premtes për të shkuar në  “Cassano delle Murge” (në provincën e Barit) në shtëpi të prindërve të shqiptarit 28-vjeçar.

Por, ky ishte udhëtimi tragjik i pushimeve të fundit që çifti kaloi së bashku.